Dështimi i Kosovës së Re, me pasoja të mëdha për Kosovën

Prishtinë | 15 Qer 2018 | 16:38 | Nga

Zvarritja e fillimit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” e ka bërë më të vështirë funksionimin e bizneseve në vend. E dështimi eventual i tij, do të kishte pasoja të pariparueshme për vendin para investitorëve të huaj.
Po ashtu mungesa e furnizimit stabil me rrymë e ka bërë më të vështirë operimin e bizneseve.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë për Telegrafin se Kosovën e kanë karakterizuar një serë dështimesh përgjatë viteve të fundit kur bëhet fjalë për projekte të investimeve dhe privatizimeve serioze.

Sipas tij, nëse dështon ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, pasojat do të ishin të mëdha për vendin
“Dështimi në realizimin e projektit të Termocentralit ‘Kosova e Re’, në të cilin projekt është shpenzuar shumë kohë, por edhe burime të konsiderueshme financiare, do të kishte pasoja të shumëfishta për vendin. Do të ishte goditja e radhës në aspektin e përmirësimit të reputacionit tonë para investitorëve, për nisjen dhe finalizimin e suksesshëm të një projekti. Ndërsa dëmet më të mëdha natyrisht do të ishin ato për heqjen e varësisë së vendit nga importi i energjisë elektrike”, tha Zeka.

Sipas tij, mos furnizimi stabil me energjie elektrike, do ta bënte më të shtrenjtë operimin e ndërmarrjeve në Kosovë.
“Prandaj, finalizimi i marrëveshjes me kompaninë amerikane Contour Global, dhe nisja sa më e shpejtë e mundshme e ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’ është më së e rëndësishme. Në të njëjtën kohë, institucionet qeveritare do të duhej të promovonin dhe mbështesnin rritjen e efiçiences së energjisë, si dhe gjenerimin dhe përdorimin e energjisë alternative”, ka thënë drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka.

Në Ministrin e Zhvillimit ekonomik (MZHE), kanë bërë të ditur se punët rreth projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” janë duke u kryer pa asnjë ndërprerje.

Sipas zyrtarëve të MZHE-së aktualisht është duke u përgatitur shpallja e tenderit për përzgjedhjen e kompanisë për projektim dhe ndërtim.

“Janë duke u finalizuar një numër i konsiderueshëm i studimeve të nevojshme për Projektin, ku një ndër ta është në përfundim e sipër edhe Studimi mbi Ndikimin në Mjedis dhe Social për termocentralin. Në të njëjtën kohë kemi aktivitete të ngjeshura me institucionet financiare ndërkombëtare dhe të gjithë partnerët e Projektit, si dhe në baza ditore po kryhen procedurat tekniko-administrative që duhet të finalizohen deri në Përmbylljen Financiare të Projektit, e cila presim të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm”, është thënë në përgjigjet e Zyrës për Informim të MZHE-së.

Sipas tyre, pas mbylljes financiare, mbetët çështje ditësh fillimi i ndërtimit fizik në terren të Termocentralit “Kosova e Re”.

Ndërkaq në Bankën Botërore kanë thënë për Telegrafin se janë duke i studiuar opsionet, por nuk kanë saktësuar se a do të vazhdojnë ta përkrahin edhe më tej ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Ekspertët tonë të energjisë janë duke finalizuar një studim të opsioneve, i cili po shqyrton një varg opsionesh. Ritmi i ndryshimit teknologjik në sektorin e energjisë po lëviz shpejtë, sidomos te burimet e ripërtëritshme, si dielli, era, apo deponimi, ku çmimet po vazhdojnë të bien. Analiza jonë po merr parasysh këto zhvillime dhe për këtë jemi duke e mbajtur Qeverinë të informuar”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme