Diaspora me ndihmë apo borxh për Kosovën?

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Ekzistojnë sinjale se tashmë mërgimtarët me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, kanë nisur t’i përgjigjen thirrjes së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht në kohën kur po përballet me pandeminë e Coronavirusit, vlerësojnë njohës të zhvillimeve në diasporë dhe të fushës së ekonomisë.

Megjithatë, kërkesa e kryeministrit në detyrë, sipas tyre, përveç si thirrje për bashkatdhetarët, është edhe mesazh për akterët vendorë dhe ndërkombëtarë që të hyrat në buxhetin e shtetit kanë filluar të shteren dhe nëse për disa muaj vazhdon kjo situatë pandemike dhe e reduktimit financiar, vendi dhe buxheti i tij do të gjendet para një problemi të pakalueshëm.

Bashkim Iseni, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike në Universitetin e Friburgut, i cili aktualisht jeton në Zvicër, thotë për Radion Evropa e Lirë që diaspora në vazhdimësi është duke u kujdesur për mirëmbajtjen financiare të familjeve të tyre në Kosovë. Por, sipas tij, reagimet në rrjetet sociale kanë treguar se shumica e pjesëtarëve të diasporës, e veçanërisht të atyre që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore, janë duke e mbështetur apelin e kryeministrit në detyrë, Kurti.

“Diaspora e mbështetë pa rezervë Albin Kurtin, veçanërisht qeverinë në detyrë. Mirëpo nga ana tjetër, apeli i Kurtit është pak për t’u habitur, duke e ditur faktin se në njërën anë diaspora ka shumë ndërmarrës, të cilët ballafaqohen me vështirësi. Po ashtu edhe ata vet mirëmbajnë familjet e tyre. Në anën tjetër, sërish, apeli i parë që bëhet ndaj diasporës është apeli për resurse. Kjo gjithmonë ka irrituar diasporën, duke e vështruar atë si një adut financiar”, tha Iseni.

Ai shoi se ndihma nga diaspora nuk do të mungojë, por që qeveria në detyrë duhet të përfshijë edhe përfaqësues të diasporës në vendimmarrje, gjë që sipas tij, deri më tash nuk ka ndodhur as nga qeveritë paraprake.

Eksperti i çështjeve financiare, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që pavarësisht se asnjë nga qeveritë deri më tash nuk kanë qenë korrekte ndaj diasporës, e veçanërisht me “kartonin e gjelbër” që e mundëson hyrjen me automjete në shtetin amë, mërgimtarët kanë dhënë sinjale se do të ndihmojnë sërish.

“Ata prapë do ta japin provimin. Por, duke e ditur që edhe në shtete ku ata jetojnë ka probleme financiare, unë nuk besoj se do të jetë ndonjë vlerë shumë e madhe, ndonjë infuzion shumë i madh financiar. Unë besoj që shpëtimi për të siguruar kapital emergjent do të ishin shtetet mike dhe institucionet më të fuqishme financiare”, tha Bektashi.

Kryeministri Kurti, më 12 prill, i ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë në vendet huaja që “të ndihmojnë vendlindjen e tyre në krizën shëndetësore”, e cila siç ka thënë ai, mund të tejkalohet vetëm nëse punohet bashkë.

Por, profesor Iseni ka shprehur mendimin që Qeveria në detyrë e Kosovës ka mundur t’i japë një shtysë më të fuqishme diasporës së vendit, duke ju ofruar pjesëtarëve të saj blerjen e bondeve shtetërore.

“Duke e ditur se është një shumë substanciale, do të thosha, që Kosova ta përballojë këtë krizë, besoj që është dashur që të veprohet me një precizitet më të duhur rreth këtij fondi. Pra, a do të jetë fond dhe kush do ta menaxhojë. Por, pse jo, të bëhet apel pikërisht për bonde, sikurse që ndodh në vendet perëndimore, ku shteti hyn në borxh te diaspora dhe në ditë më të mira mbase ia kthen me një kredi, mbase edhe simbolike. Besoj që duhet të tejkalohet ai apeli tradicional ndaj diasporës, e cila shihet sikur një resurs i pashtershëm”, tha Iseni.

Por, profesor Bektashi shpreh mendimin që edhe pa e nënçmuar ndihmën nga diaspora, buxheti të cilin e ka ndarë Qeveria e Kosovës, tashmë në detyrë, prej rreth 180 milionë euro nuk do të mund t’i përballojë shpenzimet në përballje me situatën që ka krijuar koronavirusi. Për këtë arsye, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’iu drejtohen institucioneve monetare ndërkombëtare për marrje të huave.

“Ne duhet në këtë moment duhet të huazojmë mjete më shumë, pasi që edhe normat e interesit në tregjet e kapitalit janë shumë të ulëta, me qëllim që ta përballojmë jo vetëm pandeminë, por ta sanojmë edhe situatën shumë të vështirë ekonomike dhe sociale me të cilën po përballen kompanitë dhe qytetarët e shumtë. Duke e ditur pozitën e tyre dhe dike i ditur borxhet që i kanë ndaj 10 bankave komerciale në Kosovë”, tha Bektashi.

Bektashi ka shtuar që huat e mëdha i nevojiten Kosovës për shkak se më nuk bëhet fjalë për shuma të humbura prej dhjetëra miliona eurosh. Sipas tij, për shkak të bllokimit të aktiviteteve dhe të rritjes së bizneseve, dëmet do të jenë për çdo muaj dhe deri në 10 për qind të bruto prodhimit të brendshëm (GDP) vjetor apo rreth 500 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme