Diskutohen specifikat e projektligjit për partneritete publiko-privat

Prishtinë | 12 Qer 2019 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Gjatë tryezës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rreth funksionimit të partneriteteve publiko-private, bizneset nga sektori privat diskutuan rreth kushteve, parimeve, dhe dispozitave që dalin nga ky projektligj në rregullimin e partneriteteve publiko-private (PPP) me ndikim në sektorin privat.  

Ramis Ahmetaj, Konsulent Biznesi, tha se ky projektligj synon të adresojë çështje të cilat janë problematike në lidhje me partneritetet publiko-private (PPP) si pronësia mbi projektin, teknologjia e transferueshme nga sektori publik në atë privat, si dhe kohëzgjatja e planifikimit të projektit, duke përfshirë këtu hapësirën fiskale.

Ahmetaj tha se përckatimi i një vlere minimale të projekteve të cilat do të kualifikoheshin për PPP do të mirëpritej sepse projektet në vlera të ulëta monetare nuk paraqesin interes publik dhe paraqesin rreziqe të shumta.

Drejtori i Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat nga Ministria e Financave, Ilir Rama, tha se projektligji për partneritete publiko-private (PPP) parasheh kritere specifike të cilat do të ndikojnë në rritjen e fleksibilitetit në kontrata, si dhe zgjidhjen e problemit rreth kohëzgjatjes së madhe të aprovimit të projekteve.

Ai përmendi bashkëpunimin me sektorin privat si kyç në adresimin e çështjeve të rëndësishme për zbatim më të mir të dispozitave të ndryshme, duke përmendur se ndihma e dhënë nga sektori privat përmes rekomandimeve gjithmonë është reflektuar në strukturim më të mir të ligjeve nga ana e institucioneve relevante. 

Rama tutje shtoi se përmes këtij projkektligji kanë propozuar mes të tjerash rikthimin e ofertave të pakërkuara, si dhe adresimin e mungesës së kapaciteteve të menaxhimit të projekteve nga ana e institucioneve relevante.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme