Dogana vazhdon me performancë shumë të mirë në mbledhjen e të hyrave në import

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 14:29 | Nga

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se, sipas raportit janar-gusht, të hyrat e përgjithshme paraqesin një rritje prej rreth 18 milionë eurosh, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas komunikatës së Doganës, ndikim në të hyra ka pasur edhe kufizimi i importit të automjeteve të përdorura deri në vite.

“Gjatë periudhës raportuese janar – gusht, të hyrat e përgjithshme të inkasuara nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej rreth 736.4 milionë €, gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 paraqet një rritje prej rreth 18 milionë €, apo 2.5%  më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak.

Për më tepër, ndikimi në të hyrat nga pakot fiskale që i referohen lirimit në import të taksave për prodhues përgjatë periudhës raportuese është rreth 49.9 milionë €, që paraqet një rritje prej rreth 173%  krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërsa sa i përket lirimeve sipas MSA-së, duhet theksuar se ndikimi negativ në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 28.9 milionë €, apo rreth 44.52% më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Ndikim në të hyra ka pasur edhe kufizimi i importit të automjeteve të përdoruara deri në 10 vite, ku në këtë kategori tek importi i veturave vërehet një rënie e theksuar e të hyrave krahasuar me vitin e kaluar, ku kemi 8361 copë vetura më pak, dhe kjo ka ndikuar që të shënohet një rënie në të hyra te kategoria e veturave, rreth 12 milionë € më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Përkundër politikave fiskale që favorizojnë lirime dhe ulje taksash në kategori të caktuara, si stimulim i zhvillimit ekonomik, si dhe ato që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, që këtë vit po kanë ndikim më shumë në të hyrat e planifikuara, përsëri Dogana e Kosovës është duke vazhduar me performancë shumë të mirë në grumbullimin e të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale, kontrabandës dhe fusha tjera që Dogana ka përgjegjësi , mirëpo gjithashtu ne vlerësojmë se  këto efekte të politikave fiskale dhe MSA, do të kenë efektin e vet pozitiv shumë më të madh për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjes së prodhimeve vendore”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

 

Të ngjashme