Ekonomia e brendshme shqiptare në pasqyrën e pandemisë botërore

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 09:20 | Nga Teuta Nunaj

Në shumë aspekte, bota do të jetë ndryshe pas kalimit të rrezikut të covid-19, Shqipëria po e po dhe ekonomia do të jetë njëra prej tyre. Kriza shëndetësore prej covid-19 nxorri më në pah mangësitë dhe shkaktoi në mënyrë të menjëhershme e të papreçedentë një krizë ekonomike botërore, duke përfshirë në vetëm 3 muaj thuajse të gjitha vendet. Pasojat nga covid-19 parashikohen të jenë të gjata në kohë, ndaj edhe rimëkëmbja e ekonomisë nuk do të mund të kryhet në kohëzgjatjen e pandemisë.
Ekonomitë e zhvilluara që të stabilizohen, do të duan muaj të gjatë reformash dhe injektime të jashtëzakonshme fondesh si asnjëherë më parë, por shumë më tepër kohë do të kërkojë një ekonomi në zhvillim, si ajo e Shqipërisë, e cila në harkun kohor prej katër muajsh u godit fort dy herë. Vendi ynë vijon të mbetet me burime natyrore të shumta për zhvillim, por me strategji të cunguara dhe pa planifikime rezultative, të cilat kanë çuar në shfrytëzimin joefektiv të tyre dhe zgjatje të kohës së tranzicionit ekonomik. Rigjenerimi i ekonomisë post covid-19 do të vonojë, jo për mungesë aftësish, buxhetesh apo njohurish, por edhe për shkak të gropave të mëdha që kanë lënë në ekonominë shqiptare politikat e gabuara publike të qeverive në vitet e tranzicionit.

Sektorët më të prekur të ekonomisë shqiptare nga kriza shëndetësore e covid-19 janë: turizimi, tregria, shërbimet, prodhimi dhe bujqësia, të cilat ndikojnë ndjeshëm si në uljen e të ardhurave, të konsumit, por edhe të eksporteve.

Turizmi

Ecuria e turizmit varet drejtpërdrejtë nga dy faktorë: (i) si faktorë të brendshëm shërbejnë niveli i përhapjes së pandemisë dhe masat që do të merren nga qeveria shqiptare për frenimin e saj. Çdo ndalesë dhe kufizim për lëvizjen jashtë vendit, nxit turizmin në Shqipëri të vendasve. (ii) si faktorë të jashtëm shërbejnë rregullat dhe kufizimet në qarkullim që do të vendosë BE-ja dhe vendet e tjera, si dhe rritja e mundshme e kostove të udhëtimit me avion, për shkak të përshtatshmërisë që do të duhet të bëjë kjo industri me rregullat e reja të transportit të udhëtarëve, të cilat do të reflektohen edhe mbi çmimin e biletave.

Aktualisht po zhvillhet një nismë ndërkombëtare për të “shtyrë” pushimet e prenotuara dhe jo për t’i “anulluar ato”. Për shkak të klimës, turizmi mund të zgjatet në kohë dhe kjo përbën një avantazh fitues për Shqipërinë. Prirjet si kudo në botë janë që në Shqipëri për këtë vit, turizmi të mbështetet te turizimi i brendshëm dhe shumë më pak te turistët e huaj. Ndaj operatorët turistikë fokusin e tyre kryesorë do e kenë te turizmi patriotik duke besuar se shqiptarët në rajon e më gjerë, do t’i kalojnë pushimet e tyre në trevat shqiptare.

Sa shpejt do të hapet sezoni turistik; sa më shpejt të dalin nga Ministria e Turizmit rregullat e reja dhe sa më shpejt të aplikohen ato nga bizneset; sa më i ulët të jetë numri zyrtar i të prekurve dhe të ndërruarve jetë nga covid-19, i cili ndikon drejtpërdrejtë te perceptimi i turistit për sigurinë në vend; sa më lehtësuese të jenë rregullat e ushtrimit të aktiviteteve turistike; sa më shumë mundësi financiare do të kenë njësitë e turizmit që të adaptohen me kushtet e reja; aq më shpejt do jenë gati bizneset për të pritur turistët dhe aq më shumë mundësi do të ketë turizmi të zhvillohet, i cili do të duhet të marri në konsideratë se objektiv për këtë vit është mbijetesa, më shumë sesa fitimi.

Mundësitë më të mëdha të zhvillimit do t’i ketë turizmi malor, i aventurës dhe ai kulturor, të cilët për shkak të veçorisë funksionale me grupe të vogla, do të përshtaten më shpejt me rregullat ndaj covid-19. Ndërkohë që zbatimi i distancimit social do të sjellë rregulla të reja në turizmin bregdetar, gjë e cila do të ndryshojë funksionimin e njësive akomoduese dhe do të rrisë kostot e shërbimeve. Nga ana tjetër, hapja e bizneseve të reja në këtë fushë ka predispozitën të jetë në nivele të ulta, gjë e cila kufizon edhe investimet për rritjen dhe zhvillimin e turizmit në tërësi.

Shërbimi

Për shkak të karakteristikës së shërbimit, si një output që merret menjëherë dhe drejtpërdrejtë nga konsumatori/klienti, rregullat e mbrojtjes dhe mospërhapjes së covid-19 ndikuan në mënyrë të menjëhershme në mbylljen e shumë njësive të shërbimit dhe të tregtisë. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2018, prodhuesit e shërbimeve zënë 65% të totalit të prodhuesve. Ndaj ekonomia shqiptare mbështetet në masën më të madhe të saj te sektori i shërbimit, si tregtia me shumicë e pakicë, transporti dhe magazinimi, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, si baret, restorantet, shërbimet bankare, financiare e të sigurimeve, të telekomunikacionit, fluturimet, etj.
Po cila është ana tjetër e medaljes? Pak vite më parë, qendrat tregtare krijuan avantazh duke mbledhur në një vend njësi të shumta dhe të ndryshme biznesi, duke cënuar drejtpërdrejtë ekzistencën e biznesit të vogël. Aktualisht, premisat janë që medalja të kthejë anë, pasi janë qendrat tregtare më të prekurat, që do të vijojnë më gjatë të jenë mbyllur, ndërkohë që biznesi i vogël do të hapet për të ofruar shërbim.

Transporti urban dhe ndërurban u pezullua plotësisht, rihapja do të ndodhi me kushte të reja në respektim të distancimit social, gjë e cila do të rrisi koston, e cila do të reflektohet detyrimisht në rritjen e çmimit, nëse nuk do të ketë mbështetje nga shteti, por gjasat janë të pakta që kjo të ndodhi.

Nga ana tjetër, pandemia ndikoi në lulëzimin e tregtisë ushqimore edhe rritjes së të ardhurave të këtyre bizneseve, si në prodhimin dhe në shitjen me shumicë e pakicë të produkteve ushqimore. Ndaj këto kompani do të duhet të paguajnë edhe më shumë tatime për të mbështetur ekonominë. Ndërsa sektorët e tjerë stopuan. Shërbimet bankare, financiare dhe sigurimet ulën ritmet e tyre.

Pezullimi i fluturimeve e vuri menjëherë në vështirësi të ndjeshme këtë industri, e cila ende nuk mund të përcaktojë masën e humbjes për shkak të kohës së papërcaktuar të rifillimit të saj. Kufizimi i numrit të fluturimeve dhe përshtatja me rregullat e reja do të rrisi kostot, të cilat do të reflektohen në çmimet e larta të biletave, duke sjellë në këtë mënyrë edhe ridimensionimin e fluturimeve, sidomos ato me kosto të ulët.

Koha e hapjes së ekonomisë dhe sektorëve të saj në veçanti ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rimëkëmbjen e sektorit të shërbimeve dhe tregtisë në Shqipëri. Po sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2018, 88% e njësive të shërbimeve janë biznes shumë i vogël me 1 – 4 të punësuar, 6.3% e njësive të shërbimeve janë biznes i vogël me 5 – 9 të punësuar dhe 4.5% e njësive të shërbimit janë biznes i mesëm me 10 – 49 të punësuar, kjo bën që mundësitë e tyre financiare për t’i rezistuar ndryshimit janë më të pakta. Ndaj çështja e rezistencës mbetet themelore.

Me hapjen e ekonomisë çdo biznes i vogël që do t’i mbijetojë situatës do t’i ketë shanset të rimëkëmbet brenda vitit 2020, duke u kthyer në ritmet para covid-19, sepse ulja e daljeve jashtë vendit, do të ndryshojë trendin, përmes kthimit të vëmendjes së qytetarëve shqiptar drejt blerjeve në vend, si për veshje, këpucë, produkte parfumerie, etj., gjë e cila do të nxisi zhvillimin e tregisë me shumicë dhe pakicë. Njësoj si efekti që solli rritja e tarifës doganore për blerjet online jashtë vendit.

Rikthimi në punë i bizneseve dhe humbjet e shkakuara gjatë mbylljes prej covid-19 do të sjellë rritje të kërkesës për financime dhe bankat në këtë rast do të duhet që të mbështesin biznesin, por tashmë me kërkesa dhe rregulla të reja, por edhe me kritere të shtuara për kredidhënien. Biznesi freelance do t’i ndjejë gjatë pasojat e goditjes dhe do të jetë një nga shërbimet që do të marri më shumë kohë për rimëkëmbje, pasi ende ne nuk kemi një kulturë të qëndrueshme për nevojën për këshilla biznesi, sidomos në kohë krize dhe çdo shpenzim për këtë zë, mund të klasifikohet i tepërt.

Baret dhe restorantet për shkak të karakteristikës së tyre do të jenë njësitë e fundit të shërbimeve që do të hapen. Ato do të përballen me rritjen e kostos së shërbimit, për shkak të aplikimit të distancimit social nga covid-19, të cilit po t’i shtohet edhe pasiguria nga infektimi, ndoshta do të sjelli një tendencë ndryshe të njerëzve, që për një periudhë afatshkurtër, të mund t’i kthehen traditës të vizitave në shtëpi, duke ulur prezencën në bare e restorante.

Tregu imobiliar, ose i pasurive të paluajshme nuk mund t’i shmanget ndryshimeve ekonomike, sidomos sektori i banesave me qera. Target grupi më i prekur do të jenë kryesisht të rinjtë dhe individët që kanë ardhur nga qytetet e tjera dhe jetojnë në Tiranë, për një mundësi punësimi dhe zhvillimi më të mirë të karrierës së tyre. Këtij grupi i bashkohen edhe studentët e punësuar apo të sapo diplomuar që nuk do të mund të ruajnë vendin e punës. Çdo humbje e vendit të punës nga ky grup, do të ketë prirjen që të kthehen në qytetet e tyre të origjinës, pasi do të kenë të vështirë që të përballojnë jetesën e lartë në Tiranë. Kjo do të çojë edhe në uljen e kërkesave për banesa me qera dhe ndoshta edhe një rishpërndarje të popullatës.

Prodhimi

Prodhimi në Shqipëri kryesisht mbështetet në industrinë nxjerrëse, në industrinë përpunuese, në prodhimin e energjisë, ndërtimin, bujqësinë, etj. Në këtë analizë do të fokusohemi tek industria e fasonit, që punon kryesisht me mall me porosi. Për vitin 2019, sipas të dhënave të INSTAT ky sektor zë 13,43% të importeve dhe 39.56% të eksporteve dhe është i vetmi zë që ka një bilanc pozitiv tregtar, vlera e të cilit është 31 miliard lekë, që do të thotë se ka një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Ndërkohë që si sektor punëson mbi 55 mijë individë.

Industria fason vijon të lulëzojë për shkak të kushteve që ofron Shqipëria duke plotësuar kërkesën për punonjës me kualifikim të pakët dhe për koston e ulët të produktit final dhe kjo, si pasojë e pagave të ulta. Ndaj shumë studiues e quajnë edhe industri skllavëruese. Duke qenë se produkti që ata realizojnë është kryesisht mall me porosi, që i shitet furnitorit të lëndës së parë, atëherë edhe fitimet e këtyre kompanive janë të kontrolluara nga porositësi. Arsye që vërtetojnë se ndikimi i saj në zhvillimin e ekonomisë në vend dhe rritjen e mirëqënies së popullatës është i papërfillshëm, pasi pagat që marrin punonjësit e tyre janë vetëm për mbijetesë. Me mbylljen e kufijve dhe ndërprerjen e prodhimit, shumë prej këtyre kompanive do të kenë vështirësi për të mbijetuar.

Qeveria në këtë rast do të duhet të rishikojë prespektivën dhe prioritetet ekonomike të Shqipërisë. Nëse do e fokusojë zhvillimin e ekonomisë tek industria fason, si në kohën e Revolucionit Industrial, apo do të investojë në arsim, që të përgatiten breza të aftë për përdorimin e teknologjisë së lartë që të ndryshojë avantazhin konkurrues, nga punonjës krahu me pagë minimale, në punonjës të kualifikuar me pagë mbi mesatare. Pasi nëse Shqipëria do të kishte teknologji dhe arsim të zhvilluar dhe kualifikimi i punonjësve do të ishte më i lartë, sesa në kompanitë fason që kërkojnë punonjës të pakualifikuar.

Bujqësia

Bujqësia edhe pse në periudhë pandemie, nuk e ka ndalur punën. Rënia e konsumit të brendshëm si pasojë e mbylljes së restoranteve dhe mbyllja e përkohshme e eksportit solli problem me shijen e produktit final. Po kështu edhe kufizimi i përkohshëm i eksportit solli tepricë prodhimi, pasi tregu i brendshëm nuk mund të përthithë sasi më të mëdha se oferta, ndaj një pjesë e prodhimit u keqmenaxhua dhe rëndomtë përfundoi i hedhur. Ndërkohë që mund të ishte ofruar edhe si ndihmesë sociale për familjet në nevojë, për spitalet, për qendrat e kujdesit të të moshuarve, etj.

Por, në këtë sektor kyç për ekonominë, kemi një tjetër problem madhor, të cilin e kemi trajtuar edhe më parë në analizat tona. Fermeri shqiptar është i specializuar për të prodhuar produktin bujqësor, por jo për të gjetur treg shitje për produktin e tij dhe aq më pak që të realizojë produkte mbi bazën e kërkesave të tregut.
Mos njohja e marrëdhënieve dhe efekteve të kërkesë-ofertës ka bërë që të prodhohen produkte në sasi më të madhe sesa ka nevojë tregu, për pasojë çmimi i produktit në treg është i ulët, në shumë raste edhe nën kosto, duke sjellë vështirësi financiare për fermerin. Tjetra, duke qenë se fermerat veprojnë individualisht dhe të kufizuar, ata nuk kanë mundësi që krahas realizimit të prodhimit të punojnë për gjetjen e tregut të shitjes, apo diçka më shumë, të njohin edhe kërkesat e tregut. Në këtë rast, rol themelor duhet të luaj shteti, i cili do të duhet të orientojë fermerët për kërkesat e tregut dhe njëkohësisht t’i mbështesi ata në gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve të tyre. Krahas tyre, për të ulur efektet e krizës ekonomike, një suvencionin nga shteti për fermerin në çmimin e naftës tashmë përbën domosdoshmëri.

Rezultati

Dëmtimi i të gjithë këtyre sektorëve në ekonomi sjell një efekt zinxhit, p.sh. frenimi i zhvillimit të turizmit krahas uljes së shërbimit në hotele dhe restorante ul kërkesën për inpute, si për pajisje, fuqi punëtore, produkte bujqësore, shërbime transporti (ajror, automobilistik), apo për shërbime që ofrohen nga biznesi i vogël p.sh. dyqanet e suvenireve, muzeumet, etj.
Ofrimi i dy paketave financiare nga ana e qeverisë shërbyen si një ndihmë për të punësuarit që ju ishte mbyllur aktiviteti, të cilët mbajtën konsumin në parametra të lartë dhe të kënaqshëm. Por, për të shpëtuar bizneset nga falimenti, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të duhet edhe një paketë e tretë financiare për të subvencionuar pikërisht këto kategori. Çdo financim i sotëm do të jetë një investim për nesër, sepse shpëtimi nga falimenti i ndërmarrjeve do t’i mbante ato aktive; do të mbante njerëzit e punësuar, të cilët do të kishin të ardhura për konsum; do të zvogëlonte problemet sociale që shkakton papunësia; dhe do të ruante kontributet në buxhet të këtyre ndërmarrjeve.

(Autorja është pedagoge dhe eksperte ekonomie)

Të ngjashme