Ekspertët e ekonomisë: CEFTA duhet të ketë vëmendje për mostrajtim të barabartë

Prishtinë | 08 Mar 2021 | 11:29 | Nga Ekonomia Online

Ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të bizneseve vendore dhe ndërkombëtare, Safet Gërxhaliu, Burim Piraj dhe Emrush Ujkani, kanë kërkuar që të rinegociohen Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), pasi prodhuesit e Kosovës vazhdojnë të pengohen nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve vendore dhe ndërkombëtare kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se duhet t’i tregohet CEFTA-s se po bëhet trajtim i pabarabartë në mes të prodhuesve të Kosovës për shkak të barrierave të vëna nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina ndaj bizneseve të Kosovës. Për këtë shkak, ata kanë kërkuar vëmendje nga CEFTA lidhur me këtë rast. Ata kanë theksuar se duhet të rishikohet edhe MSA-ja për kufizimin e lëvizjes së lirë.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vazhdimisht marrin ankesa për mostrajtim të barabartë nga vendet e CEFTA-s dhe MSA-së. Sipas tij, ky mostrajtim i barabartë ndikon edhe në mossuksesin e Kosovës në tërheqjen e investimeve të huaja. “Bizneset ankohen për barriera të njëanshme në raport me shtetin serb dhe moszbatim të CEFTA-s dhe MSA-së. Institucionet e vendit duhet t’i qasen me kujdes rishikimit apo edhe analizimit të marrëveshjeve, qoftë atyre të karakterit rajonal dhe atyre që Kosova i ka nënshkruar veçanërisht me Serbinë në kuadër të procesit të Brukselit. Kosova duhet të ndërmarrë edhe një numër të caktuar reformash, kryesisht duke përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe fuqizimin e zbatimit të ligjit”, ka deklaruar Ujkani.

Ai në këtë drejtim vuri theksin edhe tek obligimet shtesë që janë vënë në kuadër të Traktatit të Komitetit për Energji. “Ankesa kemi pasur së fundmi kryesisht me fillimin e zbatimit të tarifave të reja të energjisë që dalin si rezultat i zbatimit të obligimeve nga Traktati i Komunitetit për Energji, të cilat nga bizneset konsiderohen të larta dhe të dëmshme për sektorin privat”, ka deklaruar Ujkani.

Ankesa të njëjta sa i përket vënies së barrierave nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina dhe për mostrajtim të barabartë si dhe kufizime të lirisë së lëvizjes ka edhe prodhuesi vendor, Burim Piraj. Ai ka thënë se CEFTA dhe MSA-ja patjetër duhet të rishikohen meqenëse, sipas tij, ka shumë hapësira për përmirësim. “Së pari Kosovës në CEFTA dhe MSA nuk i bëhet trajtim i barabartë me vendet e tjera. Në këto dy traktate ka aq shumë hapësirë për përmirësime të cilat duhet patjetër të rishikohen”, ka thënë Piraj, i cili ka theksuar se të dyja këto traktate e lënë Kosovën në vend konsumues. “Të dy këto traktate e fusin Kosovën brenda hapësirës së tyre ekonomike dhe e shndërrojnë në vend konsumues të prodhimeve të vendeve të BE-së dhe CEFTA-s. Nga ana tjetër Kosovës i vendosin barriera jotarifore që produktet me rëndësi strategjike për zhvillim, siç janë mishi, qumështi dhe vezët, të mos mund të eksportohen nga Kosova drejt tyre. Dihet mirë se katalizatorë kryesorë të zhvillimit të bujqësisë në një vend janë mishi, qumështi dhe vezët. Për këtë arsye, Kosovës i ka ngelur djerrinë fusha, sepse importon miliona tona mish dhe qumësht të subvencionuar nga Evropa dhe rajoni”, u shpreh ai.

Po ashtu, Piraj ka thënë se ky trajtim është shkas i ngecjes së investimeve të huaja.

Për këtë çështje ka folur edhe eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i cili ka thënë për gazetën “Epoka e re” se institucionet e Kosovës duhet të këndellen në këtë drejtim dhe ta kenë prioritet agjendën ekonomike. “Në një vend ku dominon agjenda politike, mbesin shumë probleme të hapura. Në këtë drejtim, brenda një viti kalendarik, përveç pandemisë Covid-19, kemi pasur pandemi politike”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se është koha që Kosova të përfaqësohet denjësisht në CEFTA e kudo tjetër. “Vetë fakti që në vitin e fundit apo në periudhën kohore 2019-2020-2021 Kosova është përfaqësuar me tre koordinatorë të ndryshëm të cilët është dashur t’i adresojnë problemet në sekretariatin e CEFTA-s, qoftë edhe në MCC. Tani është koha kur Kosova duhet të përfaqësohet denjësisht në këto iniciativa dhe të ketë kontinuitet. Besoj se këto probleme që bëhen për prodhimet Made in Kosova, është koha kur duhet të alarmohet CEFTA dhe duhet të ketë rinegocim në mënyrë që të argumentohet pabarazia”, u shpreh ai.

Gërxhaliu ka thënë se patjetër duhet të gjendet një alternativë që të ndalet diskriminimi ndaj prodhueseve të Kosovës. “E dini që në Sofje janë shtuar dy dokumente shumë të rëndësishme në kuadër të procesit të Berlinit në vitin 2020. Ato kanë të bëjnë me tregun rajonal dhe agjendën Gree. Shtrohet pyetja si mund të jemi pjesë e këtyre iniciativa kur ne nuk jemi të barabartë, në pamundësi të lëvizjes qoftë në Bosnjë apo në Serbi. Kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti që janë katër parimet bazë që duhet të plotësohen: liria e lëvizjes së mallrave, e shërbimeve, e kapitalit dhe e njerëzve. Këto për Kosovën janë vetëm në letër, sepse nuk zbatohen. Tani duhet të gjendet një alternativë tjetër në interes të bizneseve dhe qytetarëve”, ka thënë Gërxhaliu.

Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik të vitit 2007, tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësim, ndërkaq marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës.

Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) është krijuar me qëllim të eliminimit të pengesave për tregtinë reciproke mes shteteve anëtare, krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin dhe diversifikimin e tregtisë, si dhe nxitjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik.

Ndërkaq, në vitin 2008 institucionet e Kosovës ndërruan edhe vulat doganore, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës, gjë që ky akt u bë shkas për Serbinë dhe Bosnjën për ta bllokuar eksportin e mallrave të Kosovës në këto dy shtete apo për ta përdorur territorin e tyre për mallrat transit.

Në preambulën e marrëveshjes së CEFTA-s, neni 1 thotë: “Palët do të krijojnë një zonë të tregtisë së lirë në përputhje me dispozitat e kësaj marrëveshjeje dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat përkatëse të OBT-së”.

Mirëpo edhe përkundër pajtimit për tregti të lirë në mes të Kosovës dhe vendeve anëtare të kësaj marrëveshje, bizneset nga Kosova vazhdimisht janë përballur e vazhdojnë të përballen me barriera nga Serbia dhe Mali i Zi. Kurse objektivat e kësaj marrëveshjeje janë: a). Të konsolidojë në një marrëveshje të vetme nivelin ekzistues të liberalizimit të tregtisë të arritur nëpërmjet rrjetit të marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë, tashmë të lidhura ndërmjet palëve; b). T’i përmirësojë më tej kushtet për nxitjen e investimeve, duke përfshirë investimet e huaja direkte; c). Ta zgjerojë tregtinë e mallrave, shërbimeve dhe t’i forcojë investimet me anë të rregullave të drejta, të qarta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme; d). T’i eliminojë barrierat dhe deformimet e tregtisë dhe ta lehtësojë lëvizjen e mallrave në transit dhe lëvizjen ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve ndërmjet territoreve të palëve.

Marrëveshje tjetër e cila është nënshkruar nga Kosova dhe Bashkimi Evropian, e që për qëllim ka tregtinë e lirë, e që nuk po zbatohet dhe prodhuesit nga Kosova që vazhdojnë të kenë barriera nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, është edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) e nënshkruar në tetor 2015, kurse hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2016.Albulena S. MAVRAJ

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme