Eksperti i ekonomisë për tërheqjen nga Trusti: Qytetarët po i kërkojnë paratë e tyre, jo ndihmë nga shteti

Prishtinë | 15 Maj 2022 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Partitë opozitare po kërkojnë që Qeveria të lejojë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit.

Kjo iniciativë është nisur nga PDK e më pas ka marrë edhe përkrahjen e partive opozitare, por që Qeveria e ka kundërshtuar atë dhe vazhdon ta bëjë.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar se kjo tërheqje e mjeteve të Trustit nuk e zgjidh problemin e krizës ekonomike.

Ndërsa të shtunën, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar përsëri që të lejohet tërheqja e parave nga Trusti, ku përmes një konference për media i bëri thirrje Qeverisë që ta trajtojë seriozisht këtë çështje dhe sa më shpejt të lejohet tërheqja e mjeteve.

Këtë ai e ka quajtur domosdoshmëri për qytetarët.

E këmbënguljen e Qeverisë kundër kësaj nisme të opozitës nuk e sheh të arsyeshme e as logjike eksperti i ekonomisë, profesori Mustafë Kadriaj.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se qytetari po i kërkon paratë e tij dhe jo ndihmë nga shteti, por që Qeveria duhet të ketë më shumë presion si nga opozita, ashtu edhe nga qytetarët.

“Nuk ka as argument dhe as sinqeritet sepse qytetari nuk po kërkon nga ana e buxhetit ndihmë por po e kërkon djersën e vet dhe ka një gatishmëri dhe një disponim shumë të madh te qytetari. Në këtë drejtim opozita po tenton të bëjë punën e vet por tani për tani e kemi një opozitë të vobektë nga ana e aktivitetit, kështu që Qeveria po e ka një komoditet jashtëzakonisht të lartë, si nga ana e numrave po ashtu edhe nga ana e presionit të opozitës”, ka thënë Kadriaj.

Sipas tij, arsyet e Qeverisë nuk janë të shëndosha dhe se me këto para do të rritej fuqia blerëse dhe do ishte pozitive edhe për arkën e shtetit.

Ai madje kritikon Qeverinë për mënyrën e të qeverisurit, për çka thotë se nuk kanë sens, ku sillen me qetësi thuajse Kosova ka zhvillim të lartë ekonomik.

“Prandaj, përderisa nuk kemi një presion të arsyeshëm nga ana e opozitës dhe po ashtu nga ana e qytetarit, vlerësoj se Qeveria nuk ka lëvizur deri tani në këtë drejtim dhe nuk e di cilën e ka arsye por arsye të shëndoshë nuk ka sepse në këtë kohë Kosova ka shumë nevojë, qytetari ka shumë nevojë që të rritet fuqia blerëse sepse tani jemi në sezonin e verës, që kjo do të ishte e mirëseardhur, si të bizneset, po ashtu edhe te arka e shtetit por një qeveri e tillë që ka një numër të madh të deputetëve por nuk ka sens të të qeverisurit. Kjo me të vërtetë është shqetësuese dhe të shqetëson edhe më shumë sjellja e tyre e qetë, thuajse Kosova të kishte një zhvillim të lartë ekonomik, përderisa ne jemi vendi më i varfër dhe me zhvillim të ulët, si në nivel rajoni por edhe të Evropës”, ka vlerësuar eksperti i ekonomisë.

Kadriaj thekson se shanset janë të vogla që të kalojë në Kuvend votimi për Trustin, por që shprehet se do të ishte e mirëseardhur për ekonominë dhe qytetarët.

“Se sa ka mundësi të kalojë në Kuvend mbetet të shihet por shanset janë të vogla pasi numri i deputetëve të opozitës është shumë i madh, gjasat janë të vogla. Se a do të ishte e mirëseardhur dhe e mirë, është e mirë për ekonominë por deri më tani Qeveria i ka dhënë arsyet e veta që në fakt nuk janë arsye të logjikshme ekonomike”, ka deklaruar Mustafë Kadriaj.

Të ngjashme