Energjia dhe minierat mundësi unike për investitorët e huaj

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 15:06 | Nga

Kosova, mban vendin e pestë në Evropë për posedim të rezervave të linjitit. Këto rezerva  përfaqësojnë një prej faktorëve më të rëndësishëm për gjenerimin e energjisë, kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj-Gashi, në hapje të Forumit Ekonomik Kosovë –Greqi me temë “Bashkëpunimi Ekonomik Sfidat dhe Perspektivat”, duke shtuar se Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar projekte të mëdha lidhur me eksploatimin e ri të linjitit, të cilat ofrojnë mundësi unike për kompanitë e interesuara për investim në sektorët e energjisë dhe minierave.

Ajo me tej tha se aseti i rëndësishëm siç janë minierat e Trepcës janë vendburimet polimetalore më të njohura në Evropë për nga madhësia dhe janë konsideruar më tërheqëset nga shumëllojshmëria e mineraleve dhe bukuritë kristalore që ka ky vendburim.

“Si Qeveri, jemi të bindur se Trepça do të paraqesë një prej atraksioneve më të mëdha në Kosovë për të investuar në një të ardhme shumë të afërt. Kosova ka 11 Zona të Interesit që përfshijnë kryesisht zona të pasura me resurse minerare. Investimet potenciale në këto zona, do të mund të bëhen tashmë lehtësisht nga investitorë kredibil nëpërmjet Ligjit për Investime Strategjike, i cili mëton krijimin e lehtësirave për kompanitë e mëdha që duan të sjellin kapitalin e tyre investues në Kosovë”, ka pohuar zëvendësministrja e Zogaj-Gashi.

Më tej, Zogaj-Gashi tha se  Kosova ka patur rritje ekonomike prej 4 %, derisa vendet e rajonit nuk kanë arritur ta kalojnë rritjen ekonomike prej 2.9%, duke ia adresuar këtë rritje biznesit privat, duke shtuar se kjo ka zvogëluar edhe shkallën e papunësisë nga 35% sa ishte në 2015 në 26% në vitin 2016.

Duke folur për projektet kapitale, ajo ka përmendur Termocentralin “Kosova e Re”, i cili ndodhet në fazën e finale, pra para nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale për të kaluar pastaj në fazën tjetër, atë të tenderimit, ndërsa investitori është nga Shtetet e Bashkuara  të Amerikës.

Ajo më tej para të pranishmëve ka bërë të ditur se Kosova në Forumin Botëror Investitorëve Engjëj (World Business Angels Forum) ka marrë çmimin: “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë”.

Ndërsa, Valon Murezaj zëvendësministër i Punëve të Jashtme shprehu besimin e tij se duke punuar bashkë për idetë e përbashkëta, ato të bashkëpunimit, dyja vendet do të fuqizojnë raporte të mira. “Kosova ka nënshkruar një marrëveshjë të rëndësishme për MSA-në dhe kjo është me rëndësi, sepse është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, pra të përdrorim këtë si një themel  për avancimin tonë në shtetet Evropiane dhe me Greqinë”, tha Murtezi

George Ttspiras, Sekretar Gjeneral për marrëdhënie tregtare ekonomike të Greqisë

tha se takimi i ndërrmarrësve deri në këtë nivel do të jetë pika filluese në shkëmbimet  ekonomike Greqi–Kosovë, duke shtuar se globalizimi i ekonomive ka krijuar rrethana  për implemetimin e transakioneve biznesore pa sterotipe në rajon.

Nga ana tjetër kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalia, tha se  përmes forumeve ekonomike të përbashkëta në mes shteteve synohet të arrihet avancim i bashkëpunimit ekonomik dhe tregti, duke kaluar kështu sfidat përmes krijimit të perspektivave të përbashkëta.

 

Të ngjashme