Eurozona rishikohet në rënie

Prishtinë | 09 Nën 2018 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Ekonomia e Eurozonës pritet të ngadalësohet në vitet e ardhshme, ndërkohë që blloku përballet me rreziqe nga politikat ekonomike të Shteteve të Bashkuara, divorci i pasigurt i Britanisë dhe planet e shpenzimeve nga vendet anëtare me borxh të madh si Italia, sipas Komisionit Evropian.

Në projeksionet tremujore ekonomike të publikuara këtë javë, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian rishikoi në rënie ekonominë e Eurozonës në vitin e ardhshëm dhe parashikoi një ngadalësim që do të zgjasë deri në vitin 2020.

Ky rishikim, edhe pse pritej, mund të komplikojë planet e Bankës Qendrore Evropiane për të hequr stimujt monetarë këtë vit. Megjithatë, duke i dhënë pak shpresë institucionit, Komisioni projektoi rritje të inflacionit në 1.8% këtë vit edhe tjetrin.

Sipas parashikimeve, ekonomia e Eurozonës do të rritet me 2.1% këtë vit, krahasuar me 2.4% që u regjistrua në 2017-ën. Ngadalësimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm kur rritja ekonomike do prekë 1.9%.

Në vitin 2020, ekonomia pritet të bie më tej në 1.7%. Gjermania, ekonomia më e madhe e kontinentit, pritet të rritet me 1.7% këtë vit, pas normës prej 2.2% që kishte në 2017.

Vitin tjetër, ekonomia gjermane do të rritet me 1.8%, në rënie nga projeksionet e mëparshme, ndjekur me një normë prej 1.7% në vitin 2020. Projeksionet janë rishikuar në rënie për Francën dhe Italinë gjithashtu, me të fundit që do të vazhdojë të jetë performuesi më i dobët i zonës së valutës së përbashkët.

Ekonomia italiane do të rritet me 1.1% këtë vit, 1.2% në 2019-ën dhe 1.3% pas 2 vitesh. Brezit qëndron një nga burimet e rrezikut për Eurozonën që mund të përkeqësojë projeksionet.

Burimet e tjera të pasigurive vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, sipas Komisionit Evropian. Rritja më e shpejtë e interesave në Shtetet e Bashkuara pritet të shkaktojë shumë efekte anësore negative përtej Amerikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme