Fara e grurit nga Kroacia, opozita në Prizren pretendon të jetë nga Serbia

Prishtinë | 22 Tet 2019 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit, Egzon Elshani, të hënën, ka kundërshtuar pretendimet e anëtarëve të partive opozitare mbi origjinën e farës së grurit që i është shpërndarë fermerëve në bazë të thirrjes publike të këtij dikasteri. Elshani ka bërë të ditur se fara e grurit, që është shpërndarë për fermerët, “ka origjinë nga Kroacia, është e kualitetit të lartë dhe i plotëson të gjitha kushtet optimale për mbjellje”.

Ditë më parë, opozitarët nga radhët e PDK-së dhe të AAK-së kanë akuzuar Komunën e Prizrenit se për fermerët ka shpërndarë farë gruri të importuar nga Serbia.

Në sqarim për opinionin publik drejtori Elshani ka pohuar se Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ditë më parë ka bërë shpërndarjen e farës së grurit për 1.100 fermerë përfitues nga thirrja publike e kësaj drejtorie, shkruan Koha Ditore.

“Lidhur me këtë projekt në disa media kanë dalë lajme të pavërteta kinse fara e shpërndarë e grurit është importuar nga Serbia, të cilat kanë dalë si rrjedhojë e një postimi në Facebook të një anëtari të PDK-së, me tendencë për ta njollosur punën tonë të drejtë. Fillimisht u bëj thirrje të gjitha mediumeve që kur të bazohen në postime të individëve, të kërkojnë edhe deklarata për qëndrimet e palës tjetër, në këtë rast të Komunës së Prizrenit dhe Drejtorisë së Bujqësisë, ndërsa sa për sqarim njoftoj se Komuna e Prizrenit nuk ka importuar asnjë produkt nga Serbia dhe këtë e dëshmojnë fotografitë e bashkëngjitura. Pra, fara e grurit e cila iu është shpërndarë fermerëve ka origjinë nga Kroacia, është e kualitetit të lartë dhe i plotëson të gjitha kushtet optimale për mbjellje”, ka thënë Elshani.

Të ngjashme