Fluturimet nga Kukësi që shfrytëzojnë hapësirën e Kosovës s’faturohen, Ejupi jep sqarime në Komision

Prishtinë | 23 Nën 2022 | 13:03 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi, ka thënë se fluturimet nga Kukësi që shfrytëzojnë hapësirat e Kosovës nuk faturohen, shkaku se Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), detyrohet ta bëjë një gjë të tillë, raporton Ekonomia Online.

Këtë e bëri të ditur në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është shqyrtuar raporti Vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Deputeti i VV-së, Visar Korenica, i kërkoi që fluturimet nga Kukësi që shfrytëzojnë hapësirat në Kosovë të futen në tarifim.  Këtë kërkesë e pati edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Përse aeroplanët që shkojnë në Kukës e që kalojnë nëpër Kosovë nuk faturohen”, pyeti Hoti, teksa për këtë Ejupi tha se duhet që AShNA të marrë vendim.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, pyeti për raportimet në medie rreth keqpërdorimeve siç i quajti.

Lushtaku e pyeti edhe për anulimin e tenderit për angazhimin e një eksperti të aviacionit, pasi Organi Shqyrtues të Prokurimit ka konstatuar se tenderi ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Ne pamë që ka disa shkelje dhe sigurisht që vetëm mosdërgimi i raportit me kohë. Ka pasur raportime në media për kurdisje të tenderëve, ku Autoriteti i Prokurimit publik ka anuluar një tender”, tha Lushtaku.

E Ejupi i quajti raportimet si tendencioze.

“Sa i përket raportimeve në medie, disa kanë qenë tendencioze. Njohja ime me ekspertin nuk ka diçka konkrete sepse në Aviacionin Civil është e pamundur të mos e njoh dikë. Për anulimin e tenderit ajo ka ndodh dhe unë nuk kam ndonjë mendim ndryshe”, tha Ejupi.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, dha sqarime se përse fluturimet që kalojnë nëpër Kosovë nuk faturohen.

“Kur jemi te shërbimet e navigacionit se për shërbimet e ulëta paguhen ose faturohen, ndërsa për mbi fluturimet, nuk faturohen pasi që këtë çështje e mbikëqyr shteti i Hungarisë, e madje për çdo vit i fiton afër 9 milionë euro”, tha ai.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, pyeti për shpenzimet e trajnimeve të stafit. Ajo tha se mbi 18 mijë euro janë shpenzuar për këto trajnime.

“Parimisht e cekët se keni staf 30 persona, në kuadër të stafit profesional ju i keni 21 por nëse e shikojmë nivelin e shpenzimeve të tyre për trajnime është rreth 18 mijë euro. A është stafi shumë i ri apo është tash i inkorporuar në kuadër të Agjencionit tuaj apo ku është nevoja që vetëm në kuadër të Inspektoratit të Departamenteve të sigurisë së fluturimeve, janë realizuar 13 trajnime”, pyeti Statovci.

Por drejtori Ejupi, tha se krahas specifikave që i kanë së Autoritet, kërkohet të bëhen trajnim të tilla. Ai tha se si drejtor ka arritur ta reduktojë numrin e trajnimeve.

“Një staf i vogël prej themelimit të AAC-së, shumica prej tyre janë punëtorë të vjetër, disa prej tyre janë trashëguar prej zyrës së UNMIK-ut, që ka qenë rregullativa. Shumica e stafit tek ne është i super trajnuar dhe ndjehem i privilegjuar për kushtet që i ofron shteti për ta”.

“Aviacioni Civil është specifik dhe kërkon trajnime të vazhdueshme, janë disa rregulla që kërkon përshembull inspektorët e Aviacionit Civil me mirëmbajte atë kredencialet apo me bë inspektime, kërkohet që të bëhen trajnime. Si drejtor mundem me konfirmua se nuk kam bërë reduktime sa i përket nivelit të trajnimeve”, tha Ejupi.

Të ngjashme