FMN-ja del edhe kundër anulimit të tarifave të shtrenjta, thotë se do të përbënte barrë serioze për buxhetin

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë kundër anulimit të tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike, që u vendosën në muajin shkurt nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Sipas kësaj organizate, rritja e tarifave ishte lëvizje e duhur. FMN’ja vlerëson se anulimi rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin.

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin gjithashtu lëvizje të duhura të politikave. Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin.

Rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit, si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur funksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga FMN’ja.

Ndryshe, Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Themelores për pezullim të zbatimit të vendimit për tarifat e shtrenjta.

Të ngjashme