FMN-ja paralajmëron rritje të ulët ekonomike botërore për vitin 2019

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin “Perspektiva e ekonomisë botërore”, ka ulur parashikimin e rritjes botërore për këtë vit në 3 për qind.

Kryekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath shprehet se ky është ritmi më i ngadaltë që nga kriza botërore financiare, duke paralajmëruar se rritja mund të dobësohet më tej nga rritja e pengesave tregtare dhe e tensioneve gjeopolitike.

“Shtimi i tensioneve tregtare dhe gjeopolitike, duke përfshirë rreziqet e lidhura me BREXIT-in, mund të dëmtojnë më tej veprimtarinë ekonomike dhe të pengojnë rimëkëmbjen tashmë të brishtë në tregjet në zhvillim dhe zonën e euros. Kjo mund të çojë në një ndryshim të papritur të ndjenjës së rrezikut, probleme financiare dhe një përmbysje të gjendjes së fluksit të kapitalit në tregjet në zhvillim. Në ekonomitë e përparuara, inflacioni i ulët mund të ngulitet dhe të kufizojë hapësirën e politikës monetare më tej në të ardhmen, duke kufizuar efektivitetin e saj”, tha Gopinath, përcjell Telegrafi.

Ajo u bëri thirrje politikëbërësve që të zvogëlojnë paqartësitë e brendshme dhe të shmangin gabimet.

Gjithashtu theksoi se sistemi tregtar botëror duhet të përmirësohet e jo të braktiset.

Raporti ekonomik e uli rritjen e ekonomive të përparuara në 1.7 për qind këtë vit, ndërsa rritja në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim gjithashtu u rishikua në 3.9 për qind.

Raporti gjithashtu uli parashikimin e rritjes botërore për vitin e ardhshëm në 3.4 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme