FMN jep edhe 100 milionë euro për Kosovën

Prishtinë | 14 Mar 2017 | 11:01 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka miratuar fazën e dytë dhe të tretë të programit SBA me Kosovën, ku ka aprovuar edhe fondin prej 100 milionë eurove që do të derdhet në buxhetin e shtetit. Ky vendim ka ardhur pas shikimit të performancës së shtetit të Kosovës në aspektin financiar gjatë vitit 2016.

Kështu u tha në konferencën e përbashkët të ministrit të Financave Avdullah Hoti, shefit të FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen dhe guvernatorit të BQK-së, Bedri Hamza, ku kanë folur në lidhje me aprovimin nga Bordi i FMN-së të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit SBA me Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha Kosova ka përmbushur kriteret për rishikim të mjeteve të programit Stand By Arragement (SBA) me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka thënë se performanca fiskale ka qenë shumë e fortë, e cila ka ndihmuar në ruajtjen e kredibilitetit fiskal.

“Ka qenë e mirë si pasojë e të hyrave, por edhe kontrollit të shpenzimeve. Kjo performancë ka ndihmuar në ruajtje të kredibilitetit fiskal”, tha Vermeulen.

Ai theksoi se rritja ekonomike në Kosovë ka qenë e mirë, por sipas tij, duhet një rritje më e madhe për të ulur numrin e papunësisë. Sipas tij papunësia në Kosovë ka rënë nga 35 në 27 për qind, por kjo përqindje sipas tij duhet të ulet.

Ai theksoi se edhe sektori bankar në Kosovë është në një formë të mirë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi se ky është programi më i suksesshëm me FMN-në që e ndihmon një ekonomi në të një vendi në zhvillim.

“Qëllimi i programit ka prodhuar stabilitet të financave publike në vend dhe duke krijuar hapësirë të re të investimeve kapitale. Me masat e politikave fiskale ne kemi siguruar një rritje të hyrave prej 10 për qind nga viti në vit”, ka thënë Hoti.

Hoti tha se implementimi me sukses i reformave strukturore në menaxhimin e financave publike dhe arritja e caqeve fiskale që mbështesin qëndrueshmërinë ekonomike ka rezultuar dje, më 13 mars, në aprovimin e suksesshëm të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit nga ana e bordit ekzekutiv të FMN-së.

“Kjo i ka mundësuar Kosovës qasje në 100 milionë euro financim direkt buxhetor. Disbursimi i këtij financimi, së bashku me 72 milionë euro tashmë të disbursuara në fazat më të hershme të programit (apo 172 milionë në total), i kanë dhënë Kosovës mundësinë e implementimit të politikave ambicioze për zhvillimin ekonomik duke mos e cenuar në asnjë moment stabilitetin makrofiskal në vend”, ka thënë Hoti.

Ministri Hoti ka thënë se tash e tutje pagat në sektorin publik rriten në përputhje me rritjen ekonomike.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se si rezultat i përmbushjes së kritereve FMN-ja dje ka aprovuar rishikimin e marrëveshjes.

Duke folur për sistemin bankar, ai ka thënë se vitin e kaluar për herë të parë rritja e kreditimit ka kaluar shifrën prej 10 për qind dhe kjo ndikon në rritjen ekonomike.

“Rritja e kreditimit për vitin e kaluar për herë të parë e kalon shifrën 10 për qind dhe del se kreditimi është një prej faktorëve të rëndësishëm në rritjen ekonomike në vend. Kemi pasur edhe rritje të depozitave për mbi 8.4 për qind, kreditë joperformuese kanë shënuar nivelin më të ulët për pesë vitet e fundit që në fund të vitit 2016 kanë qenë 4.8 për qind dhe janë mirë të provizionuara” ka thënë ai.

“Në përgjithësi sektori është profitabil sa i përket kapitalit, likuiditetit, levës financiare oshtë lart mbi kërkesat Rregullativ.  Përveç sektorit bankar që ka pasur zhvillime pozitive dhe ka rezultuar në përmirësimit të kushteve të kreditimit në zvogëlimin e normave të interesit dhe rritje të maturitetit të kredive, greis periudhën kjo ka bërë që edhe biznesi edhe ekonomitë familjare të kërkojnë më tepër kredi” ka shtuar Hamza

 

Masat e ndërmarra para rishikimit të programit me FMN-në

Ministri i Financave Avdullah Hoti tregoi se para rishikimit të dytë dhe të tretë të programit më 2016 dhe 2017, që dje ka rezultuar me financim shtesë prej 100 milionë euro, janë ndërmarrë masat në vijim:

Në shkurt 2016, Kuvendi i Kosovës ka nominuar emrat për ulëset boshe në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (BSHPP).

Në mars 2016, Qeveria e Kosovës ka vendosur rregullën për përcaktimin e pagave në sektorin publik në pajtim me rritjen ekonomike në vend, si pjesë e amandamentimit të LMFPP.

Në mars 2016, po ashtu si pjesë e amandamentimit të LMFPP, Qeveria e Kosovës ka krijuar “klauzolën për investime”, një rregull kjo që i zgjeron mundësitë për rritjen e buxhetit, por në të njëjtën kohë kufizon rritjen e buxhetit vetëm përmes financimit të favorshëm dhe vetëm për investime kapitale me karakter zhvillimor ekonomik.

Në mars 2016 Qeveria e Kosovës gjithashtu ka miratuar projektligjin që e bën prokurimin elektronik të detyrueshëm për të gjitha agjencitë e qeverisë qendrore.

Në mars 2016 Qeveria e Kosovës ka miratuar një koncept dokument të detajuar me një listë të projekteve të reja kapitale që do të financohen nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Në tetor 2016 dhe në shkurt 2017 Qeveria e Kosovës ka zgjeruar listën e mallrave dhe shërbimeve për prokurim të përbashkët/centralizuar. Në tetor 2016, si pjesë e prokurimit të centralizuar janë dhënë kontratat për 43 institucione qendrore qeveritare dhe agjenci, për karburant, furnizime për zyre dhe bileta avioni.

Në dhjetor 2016, në bazë të propozimit të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Buxhetin 2017 në linjë me politikat dhe parametrat që Qeveria i ka përcaktuar sipas programit me FMN-në dhe

Kuvendi i Kosovës ka miratuar amandamentet për Ligjin për Veteranët e Luftës që ofrojnë një mekanizëm të qëndrueshëm financimi për përfitimet e veteranëve.

Gjithashtu, janë përmbushur edhe përkushtimet tjera programore, ku vlen të theksohet edhe amandamentimi i Ligjit për BQK-në, i cili është miratuar javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, sipas propozimeve të FMN-së.

Lexo më shumë:

Të ngjashme