FMN: Kosova e Shqipëria, me rritjen më të madhe ekonomike në rajon

Prishtinë | 10 Pri 2019 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike në Shqipëri gjatë këtij viti.

Në projeksionet e pranverës, FMN-ja vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7% në 2019-ën, në ngadalësim të ndjeshëm me vitin 2018-ën, ku rritja vlerësohet në 4.2%.

Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2018, sipas vlerësimeve paraprake, ekonomia e vendit u rrit me 4.06%. Në këtë mënyrë, ekonomia shqiptare ka ndjekur të njëjtën tendencë me ekonominë globale, sidomos me atë evropiane, raporton ScanTV.

Kështu, Fondi Monetar Ndërkombëtar i bashkohet Bankës Botërore, që pak javë më parë deklaroi se parashikon një rritje prej 3.8% për ekonominë tonë gjatë këtij viti. Ndërsa, qeveria shqiptare është treguar shumë më optimiste, duke parashikuar një ekspansion prej 4.3%, gjatë 2019-ës.

Ndërkohë, në krahasim me raportin e tetorit, FMN-ja ka rritur vlerësimin për ekonominë në shqiptare për 2018-ën, nga 4 në 4.2%. Për dy vitet në vijim, pra 2020 dhe 2021, institucioni me bazë në Washington parashikon një rritje ekonomike prej 3.9% dhe 4% respektivisht.

Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se, inflacioni do të rezultojë në 2.2% për vitin 2019 dhe 2.6% për vitin 2020.

Në vendet e rajonit, rritjen më të madhe në 2019-ën pritet ta regjistrojë Kosova, me 4.2%, më pas Shqipëria me 3.7%, Serbia me 3.5%, Bosnja me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2.8%.

Ndërkohë, Eurozona që është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, u ngadalësua më shumë se ç’pritej, sipas FMN-së, si rrjedhojë e dobësimin e besimit konsumator dhe të biznesit, pasigurive mbi politikat fiskale, ngadalësimit të investimeve, sidomos në Itali, protestat në Francë dhe pasiguritë e Brexit. Zona e monedhës së përbashkët pritet të rritet me 1.3% në 2019-ën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme