FMN: Të fillojë klasifikimi i veteranëve, kujdes me pensionet për mësimdhënësit e viteve ’90

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, sot në RTK ka folur për raportin e fundit të FMN-së , për ligjin për veteranët e luftës, ekonominë globale 2018-2019, por edhe për zhvillimet ekonomike në Kosovë.

Rreth Ligjit për veteranët e luftës, Vermeulen ka kërkuar riklasifikim të veteranëve. Ai vlerësoi se në fillim kanë qenë 25 milionë euro të parapara për pensione të kësaj kategorie, prej 12 deri në 13 mijë veteranë.

“Kemi bërë disa komente, përfshirë edhe kulmin që ka mundur të jetë lartësia e shpenzimeve dhe kemi kërkuar riklasifikim të veteranëve, mirëpo fatkeqësisht ky proces ende nuk ka filluar”, tha ai.

Përfaqësuesi i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka folur edhe për ekonominë e Kosovës. Sipas tij, konflikti SHBA-Kinë nuk ka ndikim në Kosovë. Vermeulen vlerësoi se diaspora është ajo që po e mban konsumin në Kosovë. “Edhe pse në disa shtete të BE-së, ka pasur kriza, kjo nuk ka ndikuar këtu”, theksoi ai.

Për projektin e termocentralit “Kosova e re”, i pari i FMN-së, tha se ka rregull të buxhetit dhe të deficitit. Ai tha se Kosova duhet të ruajë stabilitetin financiar fiskal.

Kurse për pensionet për mësimdhënësit e viteve ’90, ai tha se ato krijojnë precedent. “Nuk jemi kundër ligjit, por zgjidhja duhet të bëhet në mënyrë të qëndrueshme. Ne kemi vlerësuar koston e drejtpërdrejt. Kjo do të shkaktojë një precedent për një kategori dhe kjo po ndodh. Kjo do të jetë e dëmshme”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme