Fondi për Garanci Kreditore sqaron procedurat për përfitimin e bizneseve

Prishtinë | 25 Shk 2021 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Shpërthimi i pandemisë COVID-19 ka ndikuar drastikisht në aktivitetin ekonomik, duke kufizuar funksionimin e shumë industrive, dhe duke ndikuar kështu në rënie të mëdha të qarkullimit për të njëjtat. Roli i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në lehtësim të qasjes në financa, procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të shfrytëzuar garantim nga ky fond, limitet e financimit nga i njëjti si dhe roli i bankave komerciale në përcaktimin e përfituesve, u diskutuan në tryezën e fundit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me panelistë përfaqësues nga ky fond, si dhe sektori bankar në vend.

Besnik Berisha, drejtor ekzekutiv i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, foli mbi rolin e këtij institucioni në ndihmën për qasje në financa ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me fokus në aktivitetin e të njëjtit në pjesën e rimëkëmbjes ekonomike. Sipas Berishas, FKGK nëpërmjet garantimit të portofolit kreditor të bankave partnere ka arritur të ndihmojë në lehtësimin e qasjes në financa për bizneset vendore, konform me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ai theksoi se në këtë periudhë, Fondi ka rritur mbulueshmërinë me garancion kreditor deri në 80% të vlerës së kredisë, krahasuar me vlerën e mëparshme të mbulueshmërisë prej 50%. Berisha njoftoi se për shfrytëzim të këtij fondi, bizneset duhet të aplikojnë për kredi në banka komerciale dhe të kalojnë procedurat e bankës, ndërsa nëse vlera e kolateralit të tyre është e pamjaftueshme, bankat kanë në diskrecion mundësinë e lëshimit të kredisë, duke shfrytëzuar garancinë nga FKGK.

Moderatori i këtij forumi, Blin Zeqiri, kryeshef ekzekutiv në Art House, theksoi nevojën për qartësim të procedurave të kredimarrjes së garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, meqë sipas tij, bizneset në këtë kohë kanë nevojë për mbajtje të likuiditetit ose për investime të reja, dhe janë të interesuar të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga ky institucion. Zeqiri theksoi nevojën e diversifikimit të produkteve financiare, me fokus në mbështetjen për startupet por edhe uljen e kritereve të financimit për bizneset që nuk kanë kolateral të mjaftueshëm.

Në diskutim morën pjesë edhe drejtues të bankave komerciale në vend të cilët sqaruan procedurat për kreditim të bizneseve në periudhën aktuale të rimëkëmbjes përfshirë këtu edhe vënien në përdorim të mekanizmit garantues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe lehtësirat që ata kanë aplikuar për bizneset pas shpërthimit të pandemisë COVID19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme