Gashi dhe Limaj ftojnë diasporën të investojnë në Kosovë

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 12:57 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në hapjen e “Javës me bizneset e diasporës shqiptare”, ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka kërkuar që të rritet bashkëpunimi mes diasporës dhe Kosovës.

“Pas pavarësimit kemi mendu që investimet e huaja do të jenë motor i zhvillimit, por tash jeni ju diasporë. Qëllimi i këtij takimi sot është se si të përmirësohet ky bashkëpunim. Ju ftojmë të merrni pjesë edhe të merrni pjesë në procesin e privatizimit. Lobimi juaj te ne të jetë më i fortë dhe më konkret. Nëse ne si institucione marrim detyrat tona që invesimet të jenë të sigurta, nuk e kemi kryer punën tonë”.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka ftuar diasporën shqiptare të investojnë në Kosovë, pasi, sipas tij, në këtë mënyrë zhvillojnë vendin e tyre, por përfitojnë ekonomikisht edhe vetë, raporton Ekonomia Online.

“Të gjithë po e shohim që vetëm të bashkuar kemi mundur shumë gjëra të bëjmë. Kosova e ka një sfidë të madhe para vetes. Si qeveri kërkojmë ndihmën tuaj profesionale njerëzore, përvojën tuaj bashkëpunimin për t’ia dhënë këtu në Kosovë. S’po kërkojmë ndihmat që na keni dhënë dikur, sot po kërkojmë që të vini dhe të punoni në Kosovë”.

Limaj u shpreh se Kosova ka shumë nevojë për diasporën. Tutje, ai ka thënë se zhagitja e punëve në Kosovë dhe procedurat burokratike nuk janë të mjaftueshme për t’ia kthyer vendit shpinën. Limaj ka thënë se janë duke punuar që këto probleme t’i zgjidhin.

“Ejani investoni, Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar vendin, por edhe për të fituar ju vend. Rrugës së bashkëpunimit në Kosovë mund të hasni në problemin e zhagitjes së punëve, qe janë ligjet dhe po punojmë. Mund të hasni në burokraci, por këto s’janë të mjaftueshme për t’ia kthyer shpinën vendit”.

“Kosova po zbrazet nga intelektualët, ka rrezik ende m’u zbrazë. Qindra mjekë shqiptarë punojnë në vende të botës. Qindra ekonomistë punojnë në koorporata të botës që do të na shërbenin shumë me përvojën e tyre, për të ndihmuar rimëkëmbjen e tyre”.

Ky aktivitet organizohet nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Gjatë kësaj jave, do të vizitojnë Kosovën 110 biznese nga diaspora, me qëllim të krijimit të partneriteteve me biznese dhe institucione vendore.

Të ngjashme