Gashi konfirmon dorëheqjen nga kreu i Bordit të AKP-së

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Petrit Gashi, ka konfirmuar dorëheqjen nga kreu i Bordit të AKP-së. E ka lidhur këtë vendim të tij, me shkarkimin, sipas tij, të pabazë të drejtorit aktual menaxhues, Ekrem Hajdari.

LEXO Edhe: E konfirmon edhe AKP, Ekrem Hajdari shkarkohet nga pozita e drejtorit menaxhues

Gashi ka thënë se motivet e qarta të këtij shkarkimi, do të bëhen të ditura në momentin që do të bëhet përzgjedhja e pasardhësit të Hajdarit.

Kjo është letra e plotë e Gashit, dërguar mediave:

Sikur jeni të informuar, në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të datës 26.10.2018 është shkarkuar nga pozita drejtori aktual menaxhues i Agjencisë z. Ekrem Hajdari me arsyetimin e performansës së dobët. Duke e konsideruar të pabazë arsyetimin e dhënë, shkarkimin e tij e kam kundërshtuar duke e konsideruar si veprim me pasoja për Agjencinë.

Motivet reale të shkarkimit të z. Hajdari besoj se do të bëhen të qarta për publikun me përzgjedhjen e pasardhësit të z. Hajdari. Mirëpo, jam i obliguar t’i sqaroj publikut të arriturat e Agjencisë gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë Drejtor Menaxhues i Agjencisë. Raportet vjetore të Agjencisë dhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm tregojnë që rezultatet e shënuara nga Agjencia në vitin 2017 janë më të mirat në historikun e Agjencisë. Gjatë këtij viti Agjencia ka shitur me shumë asete se ndonjëherë më parë, ka grumbulluar fonde më shumë, ka tërhequr më shumë investitorë, dhe ka ngritur çmimin e shitjes së aseteve. Për më tepër, asetet e uzurpuara gati janë elimuar në tërësi. Të arritura të ngjashme janë evidentuar edhe në inkasimin e qirasë, transferet e 20 përqindëshit të punëtorëve, dhe në trajtimin e kërkesave kreditore. Me amandamentimin e Ligjit për Agjencinë, është bërë e mundur shpërndarja e fondeve të bllokuara të privatizimit, çështje kjo që është debatuar gjatë në Kosovë. Ndryshimet në legjislacion kanë bërë të mundur edhe pagesën më të lehtë të shpronësimeve nga ana e Qeverisë por edhe të institucioneve të tjera. Edhe brenda vet Agjencisë janë ndërmarrë hapa seriozë në drejtim të rritjes së efiçiencës.

Duhet thënë që këto rezultate janë produkt i punës dhe i bashkëpunimit të plotë në mes të menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve. Mirëpo, largimi i Drejtorit Menaxhues, për mua si Kryesues i Bordit, nënkupton shkëputjen e lidhjes në mes të këtyre dy mekanizmave kryesor të Agjencisë, e që besoj se është qenësore për punën e mëtejme të Agjencisë. Për më tepër, arsyetimi i pabazuar se shkarkimi është rezultat i rezultateve të dobëta të punës, ka zbehur besimin tim se mund të punohet më tutje në interesin e përgjithshëm të Agjencisë. Rrjedhimisht, sot i kam dorëzuar dorëheqjen time si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sinqerisht,

Petrit Gashi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme