Gashi për punësimet në KEDS: Asnjë konkurs publik, të gjitha janë partiake dhe joligjore

Prishtinë | 13 Shk 2021 | 07:50 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryesindikalisti i punëtorëve të KEDS-it, Rashit Gashi, thotë se në këtë korporatë ka ende punësime të paligjshme dhe partiake, duke shtuar se asnjëherë nuk hapen konkurse publike për pranimin e kuadrove të reja, raporton Ekonomia Online.

Gashi, i cili është larguar tash një vit nga puna pikërisht për reagimet e tij kundrejt këtyre punësimeve, tha që për shtatë vite pune nuk ka parë asnjë konkurs publik në këtë kompani dhe sipas tij  janë shfrytëzuar lidhjet me politikë gjithmonë.

“Në kohën sa isha sindikalist, tash po bëhen një vit prej kur që nuk jam pjesë e KEDS, po formalisht jam pjesë e sindikatës ende, edhe sa isha në marrëdhënie pune kisha deklaruar dhe prononcuar që ka punësime të militantëve të ndryshme të partive por edhe njerëzve me duar hekurta, me njerëzve me ndikim në drejtësi dhe politikë që punësohen në kohë të ndryshme edhe gjatë fushatave por edhe para fushatave në KEDS”, tha Gashi.

“Na e dina se në kompaninë KEDS, unë vet kam punuar mbi shtatë vite dhe asnjëherë të vetme nuk kam pa asnjë konkurs publik për sa i përket marrëdhënies së punës. As të paktën asnjëherë nuk ka pasur as konkurs intern brenda kompanisë që të marrin ose të avancohen punëtorët ekzistues nga pozita të ndryshme, por çdoherë janë shfrytëzuar lidhjet me politikën dhe njerëzit autoritarë në drejtësinë e Kosovës që të punësohen fëmijët dhe familjarët e tyre”, theksoi tutje ai.

Ai tha që është shumë problematike të reagosh dhe të denoncosh raste të tilla, pasi siç thotë Gashi, këto reagime kanë qenë fatale për të.

“Është problem shumë me reagua një kompani private, me denoncua publikisht një punëtor ose një sindikalist. Tash llogariteni vetëm unë si një kryesindikalist në KEDS, ato që i kam deklaruar publikisht kanë qenë fatale dhe hakmarrëse për mua. U largova prej pune pikërisht për arsye të organizimit sindikal të brendshëm, dhe kur goditet kryesindikalisti brenda një organizate çka presin punëtorët, kush i mbron ata”, deklaroi ai.

Ai tha që akoma pret të kthehet në punë, dhe të mbrojë zërin e sindikalistëve.

“Absolutisht po, unë i kam thënë edhe në vazhdimësi, i kam thënë në katër sy për këto punësime të kundërligjshme dhe për largimin e punëtorëve, kolegëve të mi nga puna në periudha të ndryshme që nga viti 2014 e tutje, pavarësisht që nuk jam pjesë aktive e sindikatës mua informatat çdo herë nga kolegët  e mi më vinë, se jam në një proces gjyqësor por në një të ardhme të afërt unë do kthehem aty ku e kam pasur vendin, të vazhdoj punën edhe në kompaninë KEDS, por edhe në sindikatë ku më është mohu  e drejta të qasem edhe në objektin e sindikatës”, tha mes tjerash Gashi.

Mes tjerash Gashi tregoi edhe për vështirësitë gjatë pandemisë që kanë pasur punëtorët, duke i cilësuar si më të atakuarit nga virusi Covid-19.

“Pavarësisht kushteve të cilat kanë qenë, gjatë kohës së pandemisë punëtorët kanë pasur afekt edhe nga kjo punë, janë përballur me këtë pandemi edhe ata, dhe normal që punëtorët e KEDS-it kanë qenë më të atakuarit më së shumti nga të gjithë të tjerët. Na jemi prezentë në secilën shtëpi aty ku hahet bukë e pihet ujë, është prezent dhe rryma elektrike, neve na është dashur të lexojmë njësorët e rrymës, e të ja dërgojmë faturën konsumatorëve dhe normalisht që jemi afektuar gjatë gjithë kohës”, theksoi tutje ai.

“Nuk  ka qenë e lehtë, ka pasur jashtëzakonisht punëtorë me qindra të cilët janë infektuar me Covid-19 dhe përballja me këtë nuk ka qenë edhe e lehtë e në anën tjetër kushtet gjatë pandemisë nuk kanë qenë edhe të mira, e të favorshme, nuk ka pasur mjete të mjaftueshme, me të cilat është dashur të mbahet mirë higjiena personale gjatë punës, rrobat e të gjitha tjerat kushte qoftë me masa, dezinfektues”, deklaroi Gashi.

Mes tjerash,  ai tha se ka vite që punëtorët përballen me mungesën e ushqimit kualitativ, prandaj ai thekson se mirëqenia e tyre duhet të rregullohet.

“Në KEDS, ka gjëra që mund të avancohen edhe më shumë, ne kemi nevojë për një punë shumë serioze, për një mirëqenie të mirë të punëtorëve dhe të mos kenë probleme nga rrjedhat e jashtme, por edhe problemet me shujtat ushqimore që nuk kanë lëvizur asnjëherë, kemi nevojë për një ushqim kualitativ, e sidomos gjatë kohës së pandemisë, ku të gjitha restorantet kanë qenë të mbyllura”, përfundoi Gashi.

Krejt ky reagim nga ana e sindikalistëve ka ardhur si pasojë e punësimit të djalit të ish-Kryeprokurorit të Gjykatës së Apelit, njëherit prokuror special Haxhi Dërguti, i cili thuhet se ka punësuar djalin Hajdin Dërguti, në zyrën ligjore të KEDS dhe po ashtu bashkëshorten e këtij të fundit në një departament tjetër në të njëjtën korporatë.

Të ngjashme