Gashi priti në takim shefen e Bordit të Drejtorëve të SIDA-së Yvonne Gustafsson

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave Fatmir Gashi ka pritur sot në takim një delegacion të  lartë nga SIDA suedeze të kryesuar nga shefja e Bordit të Drejtorëve të SIDA-së Yvonne Gustafsson, ku diskutuan për projektet e përbashkëta të Ministrisë së Financave dhe SIDA-së suedeze.

Me këtë rast, Zëvendësministri Gashi falënderoi znj. Yvonne Gustafsson për bashkëpunimin e deritanishëm të Kosovës me institucionet e shtetit suedez, veçanërisht SIDA-në suedeze  dhe Agjencisë Suedeze Tatimore, për mbështetjen e dhënë gjatë këtyre viteve për një nga reformat më madhore për komunat e Kosovës, si dhe punën impresionuese të bërë deri tani.

Sipas Zëvendësministrit Gashi falë këtij bashkëpunimi janë arritur reformat në fushën e tatimit në pronë, të cilat kanë ndikuar edhe në fillimin tashmë të implementimit të tatimit në toka në Kosovë, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit të tatimit në pronë.

Ai theksoi se miratimi i legjislacionit të ri të tatimit në pronë ka vendosur themelet dhe i ka hapur rrugën jetësimit të reformës së ndërmarrë.

“Për herë të parë çdo parcelë në Kosovë ka tashmë një vlerë që reflekton në vlerën e tregut dhe shërben si bazë për tatimin e saj. Është bërë një punë kolosale për vlerësimin e parcelave bujqësore, pyjore, rezidenciale, komerciale dhe industriale në të gjithë Kosovën. Arritje të tjera të rëndësishme janë shënuar edhe në lidhje me informimin e tatimpaguesve si dhe në proceset e reja të zhvillimit të sistemit të IT-së. Tani kemi përpara vetes sfida të reja, që janë të lidhura me zbatimin e reformës së nisur. Jemi vetëm në fillim të një rruge të gjatë  ” shtoi Zëvendësministri Gashi.

Ai gjithashtu theksoi se “zbatimi i një reforme me përmasa të tilla është për shumë arsye një proces teknikisht sfidues në Kosovë. Rrjedhimisht mbështetja dhe asistenca e SIDA-së suedeze  dhe Agjencisë Suedeze Tatimore vazhdon të jetë shumë e nevojshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme