Gashi: Taksa nuk po e rrit prodhimin vendës, produktet serbe po zëvendësohen me ato të shteteve tjera

Prishtinë | 21 Pri 2019 | 08:12 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania “RELUX” e cila merret me prodhimin e të gjitha llojeve të ngjyrave dhe e cila eksporton në vendet jashtë Kosovës, vetëm në fillim të pranverës ka eksportuar 150 tonë ngjyrë kryesisht në Gjermani, e që së shpejti pritet që të arrijnë marrëveshje eksporti edhe me shtetet e tjera.

Pronari i kësaj kompanie, Ramiz Gashi, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se taksa e vendosur ndaj Serbisë ka qenë vendim politik  dhe nuk ka ndikuar aq shumë në rritjen e prodhimit vendës ngase produktet serbe kanë filluar të zëvendësohen me prodhime nga shtetet e tjera.

“Taksa në eksport nuk ka ndikuar ndërsa në importin e prodhimeve po, edhe aty nuk ka ndikuar shumë sepse unë mendojë që tregtarët qe janë marrë me importin e prodhimeve të produkteve serbe, tash veç se kanë filluar ato produkte t’i zëvendësojnë me produkte nga Maqedonia dhe Shqipëria apo vendeve të tjera. Për momentin unë mendoj se kjo taksë është më shumë politike, se sa një taksë që vetëdijeson popullatën tonë”, tha ai për Ekonomia Online.

“…Kemi eksportuar vetëm në fillimin e pranverës mbi 150 tonë, që i bie se s’ka të bëjë asgjë me taksën, ndërsa për prodhimet vendore ka ndikuar, por shumë pak. Ne eksportojmë në Gjermani,  aty e kemi edhe vendin kryesorë ku eksportojmë, mirëpo tashmë jemi në bisedime edhe me shtete të tjera”.

Gashi ka komentuar edhe ikjen e të rinjve nga Kosova e që sipas tij nuk duhet të jetë shqetësuese, pasi që ikje të tilla ka pasur përgjatë gjithë viteve, por duke mos e mohuar  se ka një mungesë  të theksuar të punëtorëve.

“Po e shoh që këto ditë po flitet shumë për ikjet e popullatës nga Kosova, është gjë normale, ikje ka pasur çdo herë. Nuk është realiteti ashtu si flitet dhe si shihet. Në Kosovë për momentin është një mungesë e punëtorëve, unë vetë jam duke kërkuar punëtorë për ndërtimtari, ka dy javë që e kemi hapur konkursin dhe ende s’kemi gjet”, tha ai.

Gashi tha se në shtetet e tjera kërkohet punë më serioze se sa në Kosovë.

“Kosova nuk mundet me i ofru kushtet e BE-së për momentin, në anën tjetër këtu ka shumë lehtësira më të mëdha sesa në BE apo Gjermani dhe Kroaci. Puna është më serioze atje, puna është më e saktë. Tek ne orari i punës fillon në 7:30 dhe mbaron 17:00, në këtë orar të punës në ora 10:00, 12:00, 15:00 ata shfrytëzojnë pauzën dhe janë të larguar nga shpenzimet e rrugës, veshmbathjen, sigurim aksidental dhe trustin, paga nuk ju mungon as gjatë kohës së pushimeve”, u shpreh ai për EO.

Gashi ka treguar se në kompaninë “RELUX” janë të punësuar rreth 200 punëtorë dhe se kjo kompani tani punon me teknologji gjermane.

“Kompania “RELUX” është formuar qysh prej vitit 2011 si prodhim, ndërsa si kompani ekziston qysh pas luftës, që kemi marrë në atë kohë importin e ngjyrave dhe fasadave prej Gjermanisë, mirëpo duke parë kushtet e vështira dhe duke pa standardin që 3 deri 8 % çdoherë ka ngritur çmimet pas standardit evropian e kemi pa që është e pamundur të importohet prej Gjermanisë dhe prej një vendi tjetër. E kemi parë të arsyeshme të bëjmë edhe ne diçka këtu në Kosovë dhe kemi filluar me prodhimin e këtyre gjërave në Kosovë në vitin 2011”, tha ai.

“…Kompania Relux ka përfaqësitë e vetë thuajse në të gjithë territorin e Kosovës që numrin e punëtorëve saktë nuk mundem me e ditë po sigurisht e kalon shumën e bashkëpunëtorëve mbi 200 vetë. Kompania Relux punon komplet me një teknologji evropiane”, tha ai.

Gashi ka thënë se kjo kompani ka ndihmuar në renovimin e xhamive, shkollave dhe shërimin e të sëmurëve.

“Kompania Relux njihet edhe për bamirësi siç janë me renovimin e xhamive të vjetra, në renovimin e shkollave, në ndihmë të të sëmurëve. Nuk kemi ndonjë buxhet të caktuar, por i bëjmë sipas kërkesave, ku ka nevojë më shumë”, tha ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Punëtori i kësaj kompanie, Hajrullah Hajrizi, tha  se në këtë kompani ofrojnë kushte të mira të punës dhe pagat e pushimet i kanë me rregull.

“Kushtet e punës janë të mira, pushimet i kemi të dielën, sipas marrëveshjes me pronarin ne punojmë sezonal 9 muaj, tre muaj i kemi pushim ndërsa pagesa bëhet qind për qind. Tani me kushtet e punës janë pak më të mira, kemi makina më të përsosura automatike”, tha ai.

“RELUX” është kompani që prodhon baza të ndryshme për ngjyra e fasada, ngjyra të brendshme e të jashtme, si dhe fasada dekoruese.

Kompania gjithashtu ofron sisteme izolimi – veçanërisht sistemet e kursimit të energjisë RELUX.

Të ngjashme