Gashi ua premton mërgimtarëve kosovarë Kartonin e Gjelbër për vitin e ardhshëm

Prishtinë | 05 Nën 2017 | 11:34 | Nga

Mërgimtarët kosovarë në verën e vitit të ardhshëm do t’i gëzohen marrjes së Kartonit të Gjelbër. E me marrjen e këtij kartoni ata nuk do të jenë më të detyruar të bëjnë pagesa nëpër pikat kufitare siç janë duke bërë tani. Kështu ka thënë ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

“Në verën e ardhshme kur fillojnë bashkatdhetarët të vijnë në Kosovë do të kenë Karton të Gjelbër pra nuk do të kenë nevojë që të paguajnë këtë që e bëjnë sot. Sot i kemi bërë disa lehtësime fillestare e deri në qershor besoj se do ta përfundojmë”, ka thënë ministri Gashi për arbresh.info.

Gashi ka folur edhe për shkarkimin e sekretarit të Ministrisë së Diasporës, Osman Shahinin duke thënë se arsyet kanë të bëjnë me çështjen e shkeljes së vazhdueshme të rregulloreve dhe ligjeve.

“Arsyet janë të specifikuara në vendim do të thotë është çështje e shkeljes së vazhdueshme të rregulloreve, ligjeve edhe mos zbatimit të detyrave por materiali si i tillë i dorëzohet Komisionit Disiplinor dhe ky në fund e vlerëson a kam të drejtë unë apo jo, do të thotë arsyeshmërinë e jep Komisioni Disiplinor”, ka thënë ai.

Ministri ka shpalosur edhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve që priten të nënshkruhen në fund të nëntorit të këtij viti në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e njëra nga to sipas tij ka të bëjë me arsimin shqip në diasporë.

“Edhe këtu kemi zgjidhje në fund të muajit më 27 nëntor në Korçë do të nënshkruajmë marrëveshjen me Republikën e Shqipërisë ku dy qeveritë bashkërisht do të financojnë arsimin e fëmijëve tonë që jetojnë jashtë edhe në aspekt profesional edhe në aspekt financiar do të bashkëpunojmë ngushtë me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, ka pohuar ai.

I pyetur se si ka menduar si ministër të tërheq investimet e huaja në Kosovë, ai ka pohuar se pret që shumë shpejtë Qeveria e vendit të merr vendim për pezullimin e procesit të privatizimit dhe pronat të jenë në dispozicion të investitorëve.

“Është ligji i posaçëm për Investime Strategjike dhe në bazë të atij ligji do të veprojmë, ndër të tjera besoj se shumë shpejtë do të merret vendimi edhe në nivel të Qeverisë për pezullimin e procesit të privatizimit edhe këto prona do të jenë në dispozicion të investitorëve të huaj, jo të shiten më ashtu si për një copë bukë”, ka shtuar ministri Gashi.

Ai ka folur edhe për regjistrimin e diasporës duke thënë se janë diku rreth 350 mijë qytetarë të regjistruar. Sipas tij procesi për regjistrimin e diasporës do të përfundojë në momentin kur ekspertët vlerësojnë se janë regjistruar 95 për të mërgimtarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme