Gërxhaliu: Agjenda politike po i dëmton proceset ekonomike

Prishtinë | 06 Jan 2018 | 07:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se dominimi i agjendës politike në Kosovë po i dëmton proceset ekonomike.

Në një bisedë me Ekonomia Online, Gërxhaliu numëron si sfidat kryesore me të cilat është përballur komuniteti i biznesit në vitin 2017 politizimin e skajshëm të proceseve në Kosovë, mungesën e sundimit të ligjit, informalitetin dhe ekonominë e kriminalizuar, si dhe problemet me energjetikë.

“Fakti që 19 vjet pas luftës e kemi këtë shkallë të papunësisë – që në vitin 2017 ka një rritje prej 2,9 për qind në krahasim me vitin 2016 – e dëshmon më së miri sa larg jemi nga këto procese dhe dëshirat që i kemi për stabilitet ekonomik. Kosova edhe më tutje e vazhdon avazin e eksportit të parasë së gatshme, duke importuar mallra nga jashtë… Djersa e diasporës kosovare kudo në botë, e cila dërgohet në Kosovë, qoftë në formë të remitancave qoftë në forma tjera, është e gjykuar paraprakisht për t’u eksportuar jashtë”, shprehet ai.

“Definitivisht duhet të pranohet realiteti që në Kosovë falë dominimit të agjendës politike janë anashkaluar procese ekonomike. Fakti që në Parlamentin e Kosovës, gjatë vitit 2017, janë kaluar vetëm pesë ligje e dëshmon më së miri se sa shumë në Kosovë flitet për politikë dhe sa pak bëhet për ekonomi. Në Kosovë flitet për krizë ekonomike, por gjeneza e krizës ekonomike është mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit dhe kriza juridike”.

Sipas kreut të OEK0ut, agjenda e stërngarkuar politike nuk krijon hapësirë për rezultate pozitive në ekonomi.

“Viti 2017 është karakterizuar me një agjendë politike të stërngarkuar. Fakti që kemi pasur tri palë zgjedhje e dëshmon këtë realitet të hidhur. Në një shtet ku agjenda politike është dominante shumë është vështirë për të biseduar për rezultate konkrete në sferën ekonomike”.

Por Gërxhaliu, konsideron se përkundër një dominimi të agjendës politike, sektori privat e ka dëshmuar veten që është gjenerator i stabilitetit politik, gjenerator i stabilitetit social, përshpejtues i proceseve integruese, në të njëjtën kohë dhe promotor i përmirësimit të imazhit të Kosovës.

Ai përmend sfidat kryesore të komunitetit të biznesit gjatë vitit që lamë pas. “Top sfidat me të cilat është përballur komuniteti i biznesit në vitin 2017 është politizimi i skajshëm i proceseve në Kosovë, është një mungesë e sundimit të rendit dhe ligjit është informaliteti që vjen nga veriu dhe ekonomia e kriminalizuar; është energjetika dhe problemet me energjetikë, të cilat vërtet janë duke e dëmtuar në rend të parë sektorin prodhues. Kjo bën që prodhimi që bazohet në lëndë të parë në Kosovë dhe me fuqi punëtore kosovare është 13% më i shtrenjtë krahasuar me importin”.

“Diçka që duhet në mënyrë urgjente të përmirësohet në vitin 2018, krahas sundimit të rendit dhe ligjit, është një riaktivizim ose një rifreskim i diplomacisë ekonomike për të cilën në Kosovë. Si duket edhe ata që flasin në emër të këtij termi, pak e dinë çka nënkupton diplomacia ekonomike”, tha ai.

Kryetari i Odës beson se krijimi i disa lehtësirave fiskale nga Ministria e Financave mund të japë rezultat pozitiv në bërjen e biznesit.

“Pres që të kemi krijim të vendeve të reja të punës nga sektori privat, të kemi shtim të gamës së produkteve ‘Made in Kosova’, të kemi përmirësim të bilancit të pagesave, sepse Kosova vërtet nuk mund të arrijë objektivat e veta në qoftë se eksporton para të gatshme. Fakti që kemi vënë prioritet në këto masa fiskale, edukimin, sundimin e rendit dhe ligjit, mbështetjen e biznesit me teknologjinë moderne dhe sektorin e IT-së e dëshmon më së miri që po të kemi sundim të rendit dhe ligjit, po të kemi ekspertizë shkencore këto masa fiskale vërtet do të jenë në funksion të zhvillimit dhe to të gjenerojnë efektet e pritura pozitive”, shtoi ai.

“Nuk do të jem më kryetar i OEK-ut, as ministër”

Safet Gërxhaliu, i cili e udhëheq qe dy mandate Odën Ekonomike të Kosovës, nuk do të kandidojë më për këtë post, dhe as nuk do të pranojë ndonjë “post ministror” nëse i ofrohet.

“E them nga pozita të cilën e kam mbajtur në dy mandate: ka qenë një punë mjaftë sfiduese, një punë e cila vërtet i ka pasur ato sfidat e veta, por në të njëjtën kohë ka pasur rezultate”.

“Dhe po e them, për hirë të atyre që pretendojnë të jenë në të ardhmen nëpër poste, që një mandat katërvjeçar është pak, por dy mandate janë shumë dhe i treti nuk duhet të vijë në shprehje; sepse gjithkush ka nevojë për rifreskim, për infuzion. Besoj që në Odën Ekonomike do të vijnë kryetarë që do të kenë qasje pak më ndryshe dhe do të jetë një freski me ide dhe me kreativitet. E unë jo vetëm që nuk do të kandidohem por edhe do ta mbështesë procesin e zgjedhjeve, sepse vërtet në këto dy mandate kemi pasur mjaftë sfida dhe njeriu lodhet”, deklaroi Gërxhaliu.

“Për herë të parë po e them para jush, sepse është krijuar gjithmonë një bindje, që nëse dikush është kryetar i Odës Ekonomike, qoftë të Kosovës qoftë Odës Amerikane, do të jetë ministër ose zëvendësministër. Por, as nuk do të jem ministër as zëvendësministër, as zëvendëskryeministër… Do ta gjej veten diku në biznes privat, do të jem një profesor universitar, besoj i mirë, dhe në këtë drejtim që do të kontribuoj që proceset ekonomike vërtet të jenë në rrugëtimin e merituar. Nuk e bëjë këtë për vete, e bëj për ardhmërinë e gjeneratave të reja”, tha ndër të tjera Gërxhaliu.

Të ngjashme