Gërxhaliu: Kosova është mbrapa në implementim të Pakos Emergjente

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu tha se vendet e rajonit janë shumë hapa përpara Kosovës sa i përket masave që janë marrë për të menaxhuar situatën me Covid19.

Ai shprehet se vendet e rajonit kanë ikur 2 ose 3 hapa para Kosovës dhe ky është një lajm i keq për ekonominë e vendit, duke thënë se sa më shpejtë duhet të hapet ekonomia dhe të rifillojë frymëmarrja ekonomike.

“Është mëse e vërtetë që vendet e rajonit kanë bërë shumë hapa përpara për të mbështetur sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik dhe më interesant është fakti se i kanë paraprirë kësaj me hapje të ekonomisë në formë graduale. Kosova është duke ngelur në çdo aspekt në hapin e rimëkëmbjes, derisa vendet e rajonit e kanë bërë hapin tretë dhe të katërt në mbështetje të qytetarëve, sektorit privat dhe ekonomisë dhe Kosova ende është në hapin e parë të pakos emergjente dhe kur më tej është fakti tjetër se edhe më tutje ekonomia është e mbyllur dhe vendimi duhet të rishikohet e sa më shpejtë të hapet ekonomia dhe fillimi i frymëmarrjes ekonomike në Kosovë të jetë realitet”, tha Gërxhaliu.

Më tutje, ai thotë se Kosova pas tejkalimit të pandemisë gjendet në një fazë të rrezikshme të pandemisë ekonomike dhe sociale, por politikanët duhet të kuptojnë këtë dhe t’a ndihmojnë sektorin privat.

“Ju po e shihni se sektori privat e ka pësuar më së shumti dhe sa më shpejtë që bëhet hapja, mund të kthehet funksionimi normal i ekonomisë dhe dihet se pas pandemisë Kosova do të hyjë në një pandemi ekonomike dhe sociale që do të jetë mjaft sfiduese dhe kur krejt kësaj i shtohet jo-stabiliteti ekonomik, Kosova gjindet në një sfidë të rrezikshme, por dua të besoj që politikanët në Kosovë të kuptojnë se mbi interesat e shtetit nuk mund të jenë politikat ekonomike”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Gërxhaliu tha më tutje se Kosovës do t’i duhet shumë më shumë kohë për rimëkëmbjen ekonomike dhe kthimin në gjendjen normale.

Ai shprehet se nëse fundi i vitit 2021 është afati kur vendet e rajonit do t’i sanojnë pasojat e koronavirusit, atëherë Kosovës do t’i duhet edhe një vit më tepër.

“Dhe nëse mendojmë t’i sanojmë pasojat nga koronavirusi, hapja e ekonomisë të ndodh sa më shpejt si vendet e rajonit, duhet të depolitizohet koronavirusi dhe të rihapet ekonomia. Ne ende nuk jemi në fazën e fundit dhe nuk kemi strategji dalëse e as pako stimuluese për mbështetje të sektorit privat dhe do të jetë shumë sfiduese, nëse vazhdon me këtë neglizhencë përballë pasojat kundër koronavirusit, nëse vendeve të rajonit iu duhet fundi i vitit 2021 atëherë Kosovës do t’i duhet edhe një vit më tepër”, tha Gërxhaliu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme