Gërxhaliu: Mbyllja nuk është zgjidhje, pakoja për rimëkëmbje e nevojshme

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 08:17 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike në Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se mbyllja nuk  është zgjidhje, duke shtuar se pakoja për rimëkëmbje ekonomike është e nevojshme për shpëtimin e bizneseve.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që më e mira që i ka ndodhur Kosovës është që më në fund ka institucione stabile të dala nga vota e qytetarëve. Në rend të dytë dua të besoj që një vendim i tillë është i bazuar në analizë, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe besoj që kishte me qenë më e rrugës që të kemi një pako për rimëkëmbje sepse i duhet Kosovës. Efektet e mbylljes do të jenë evidente. Por dua të besoj që duhet të mendohet edhe opsioni tjetër çka është e kundërta e mbylljes sepse mbyllja nuk mund të jetë zgjidhje e problemeve në Kosovë”, shtoi Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se duhet një fond gjithëpërfshirës i cili do ta mbështesë të gjithë sektorët.

“Duhet një fond gjithëpërfshirës i cili do ta mbështesë edhe gastronominë edhe sallonet e dasmave edhe hotelet edhe transportit publik. Prandaj Kosovës i duhet një infuzion financiar si ndihmë për sektorin privat sepse deri më tani është bërë shumë pak dhe nuk mund të pajtohem me qëndrimet e Bankës Botërore që thotë se Kosova do të ketë rritje për 4% për vitin 2021 dhe Kosovës i duhen dy vjet për rimëkëmbje. Kosovës i duhet ndihmë më konkrete dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti duhet t’i ketë prioritete e ndara në tri etapa: emergjent, afatshkurtër dhe afatgjatë.

“Besoj që politizimi i pandemisë i ka kushtuar Kosovës shumë. Tash kur e kemi një qeveri stabile është koha kur vaksinimi të jetë prioritet. Është koha kur qytetarët duhet ta ndiejnë ndihmën shtetit dhe vërtetë Kosova nuk e ka komoditetin e pritjes edhe më tutje. Kemi humbur shumë sepse kemi pasur tri qeveri për një vjet. Duhet një dialog i mirëfilltë. Nuk jemi në një situatë të prodhojmë politikë refuzuese. Është koha kur duhet të shpëtohet qytetari. Kryeministri Kurti duhet të ketë prioritete të ndara në tri etapa kryesore, ku e para ka të bëjë me aspektin emergjent, afatshkurtër dhe afatgjatë, ku në aspektin afatmesëm është definitivisht vaksinimi mbi të gjitha”, tha Gërxhaliu për Ekonomia Online.

Qeveria e Kosovës miratoi të hënën masa të reja për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Sipas këtyre masave, nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Po ashtu, sipas këtij vendimi, do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.

Të ngjashme