Gjatë vitit 2018 u konfiskuan mallra në vlerë prej 10 milionë eurosh

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Dogana e Kosovës gjatë këtij viti ka konfiskuar mallra me vlerë 10 milionë euro. Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i doganës, Adriatik Stavileci. Ai tha se nga gjobat janë inkasuar mbi 600 mijë euro.

Dogana e Kosovës në kuadër të aktiviteteve kundër kontrabandës dhe dukurive të tjera të paligjshme, gjatë këtij viti ka ndërmarrë aksione dhe kontrolle të shtuara. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, shprehet se varësisht se cili lloj i mallit konfiskohet, kontaktohen agjencitë përkatëse. Ai sqaroi se mallrat ushqimore të konfiskuara trajtohen nga Agjencia e Ushqimit.

“ Nëse kemi të bëjmë me mallra ushqimore, ne e kontaktojmë Agjencinë e Ushqimit se a mund të shitën ato mallra apo të asgjësohen. Shpesh kemi pasur edhe asgjësime të produkteve ushqimore”, tha Stavileci.

Ndërkaq për sa i përket automjeteve të konfiskuara, Stavileci tha se ato dalin në ankande pas përfundimit të procedurave të kundërvajtjes. Sipas Stavilecit, Dogana e Kosovës mision ka inkasimin e mjeteve për buxhetin e vendit dhe jo grumbullimin e mallrave.

“ Një pjesë e këtyre mallrave shitet në ankande, pasi që dogana interes kryesor ka arkëtimin e të hyrave për buxhetin e Kosovës e jo grumbullimin e mallrave”, tha ai.

Gjatë këtij viti dogana ka inkasuar të hyra për buxhetin e Kosovës mbi 900 milionë euro. Ndërkaq pritet që deri në fund të vitit të inkasohen rreth 1 miliard euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme