Gjermania jep 43,7 milionë euro për garantimin e kredive në bujqësi

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 12:04 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive (FKGK) ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me Qeverinë e Gjermanisë. Me këtë rast edhe u bë lansimi i projektit Agro-dritare ku do të investohen 43.7 milionë euro për garantimin e kredive në bujqësi.

Shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë në 36.2 milionë euro të shpërndara në mbi 1000  kredi, ndërsa investimet e bëra me këto kredi premtojnë mbi 1,500 vende të reja pune.

Markus Aschendorf, nga Banka Kombëtare Gjermane për Rindërtim (KfW), tha se lansimi i këtij projekti ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Jam mirënjohës që mund ta lansojmë këtë agrodritrae të financuar nga grantet e qeverisë gjermane dhe nëpërmjet bankës KfW. Qëllimi jonë është zhvillimi ekonomik i Kosovës, dhe përmirësim i jetës dhe kushteve të Kosovës”.

“Ne duhet të ndihmojmë Kosovën drejt rrugës së prosperitetit. Fondacioni KfW do të angazhohet për të përmirësuar zhvillimin ekonomik në vend. Ne ofrojmë garanxi që të marrin kredi lokale të investojmë dhe të krijojmë kapita shtesë. Jemi bashkuar për lansimin e agro-dritares me 43,7 milionë euro”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se shteti që përfaqëson do ta mbështes Kosovën.

James Hope, drejtor i USAID-it, tha se garantimi i kredive nga FKGK dhe Qeveria gjermane kanë ndikim në rritjen e vendeve të punës në Kosovë.

Sipas tij, Kosova ka produkte të mira bujqësorë që prodhohen nga bizneset familjare dhe se rritja ekonomike e krijimi i vendeve të punës është i lidhur me bujqësinë dhe agro-biznesin.

“Fokusi i investimeve gjermane do të jetë agrobiznesi. Rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës në Kosovë është i lidhur me bujqësinë dhe agrobiznesin. Kosova ka produkte të mira bujqësorë që prodhohen nga bizneset familjare”.

Ai përmendi edhe tri çështje që janë të rëndësishme për Kosovën dhe këtë fond.

“Përreth në Prishtinë po mbahen evenimentet e javës se gruas, KfW është i fokusuar në gratë në biznes dhe është e rëndësishme në sektorin e bujqësisë. Vetëm 3% e kredive shkojnë në ndërmarrje të grave, dhe 100 kredi nga ky fond ju kanë dhenë grave dhe është shenjë e mirë. Bëjë thirrje ta vazhdojnë këtë fokus se bizneset kosovare të luajnë rol në ekonominë kosovare”.

“Ky fond është institucion i udhëhequr nga Kosova, është një institucion i udhëhequr nga Kosova dhe do të jetë institucion i vetqëndrueshëm në të ardhmen dhe nuk do varet nga donatorët do të mbahet vet”.

“Partneriteti: KfW paraqet një partneritet mes Qeverisë së Kosovës, MF, MTI, BQK-së, ky bashkëpunim drejt qëllimit të përbashkët paraqet fuqinë e partneritetit, asgjë nuk do të ndodhte pa përkushtimin e qeverive tona, qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat”.

Bedri Hamza, Ministër i Financave, tha se për rritjen ekonomike në vend duhet të zhvillohet sektori privat veçanërisht të ndihmohen ndërmarrjet vogla dhe të mesme.

“Qeveria e Kosovës në objektivat e veta ka vendos që edhe rritja ekonomike të jetë në nivel më të lartë, që të adresojmë sfidat si papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar. Për të arrit në një nivel të rritjes ekonomike duhet të jetë zhvillimi i sektorit privat”.

“Jemi në negociata me institucionet e tjera ndërkombëtare financiare që ne të realizojmë një linjë kreditore për këtë fond, jemi në kontakt me EBRD, Bankën Investive Evropiane dhe si qeveri do të ndajmë mjete për të rrit shumën e këtij fondi”.

Ai tha se kjo dritare e re e agro-biznesit do të ndihmojë veçanërisht gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre pasi sipas tij, ka përqindje më të lartë të papunësisë.

“Norma e papunësisë në Kosovë është e lartë, gjinia femërore është në përqindje më të lartë, jam i lumtur që po fillojmë me një dritare të re të agrobiznesit, që do ta shfrytëzojmë këtë edhe ndërmarrjet e agrobiznesit”, ka shtuar Hamza.

Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive (FKGK) u nis në vitin 2016 me ndihmën e USAID-it për të lehtësuar njërën nga pengesat kryesore ndaj rritjes ekonomike në Kosovë: mungesën e qasjes në kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të).

FKGK-ja nxitë huadhënien përmes sigurimit të garancive të pjesshme të kredive të cilat shërbejnë si zëvendësim i kolateralit, duke u ndihmuar në këtë mënyrë bankave që të zvogëlojnë riskun dhe kërkesat për kolateral. Rritja e kreditimit u ndihmon NVM-ve të zgjerohen dhe të krijojnë vende të punës.

Të ngjashme