Guvernatori Mehmeti: Kosova ka stabilitet financiar të sigurt

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, tha se të gjithë parametrat tregojnë se Kosova ka stabilitet të mirë financiar.

Sipas Mehmetit, konsumatori kosovar sa i përket punës që bën BQK, ka një rritje të vetëdijesimit.

“Ka vetëdijesim tek konsumatorët, kemi zhvillime pozitive në këtë sektor. Norma e kredive është 6 për qind, pjesa dërmuese e kredive u dedikohet bizneseve”, tha guvernatori Mehmeti në RTK3.

Ai bëri me dije se 2.6 për qind janë kredi të këqija.

“Kemi rritje të kreditimit edhe për ekonomitë familjare, po ashtu edhe për ndërmarrjet dhe për aktivitet e tjera, kemi rritje edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Edhe Fondi për Garantimin e Kredive ka luajtur rol të mirë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes këtij fondi janë të garantuara rreth 80 milionë euro”, tha ai.

Sipas Mehmetit, për çdo vit ka rënie të normave të interesit në kredi.

“Pritjet janë që edhe më shumë të bien normat e interesit në kredi. Edhe aktivizimi i përmbaruesve privatë ka bërë që të kemi rezultate në këtë drejtim”, tha Mehmeti.

Ai ka shtuar se edhe ankesat që po i bëjnë qytetarët e Kosovës janë rritur.

“Kemi një rritje të theksuar të ankesave, kjo është vjen si rezultat i vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës për shërbimet që marrin nga institucionet financiare”, tha ai.

Për koston e lartë në banka, e që konsumatorët kosovarë po paguajnë deri në 5 euro në muaj për individ, kurse për biznese edhe më shumë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se ankesat kanë të bëjnë me tarifat, ndërsa tek sigurimet, lidhur me kompensimet e dëmeve.

“Për shtrenjtimin që i kanë bërë bankat, jemi në proces të shqyrtimit se a kanë pasur bazë”, tha Mehmeti.

Guvernatori Mehmet, bëri me dije se edhe për bankat ka pasur shqiptim të gjobave ndaj tyre.

Ai njoftoi se dhe dy banka të reja kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme