Guvernatori Mehmeti paraqet Raportin në Kuvend: Siguruam sistem të qëndrueshëm financiar

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 20:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka prezantuar në Kuvend Raportin Vjetor për vitin 2017, para deputetëve të Kuvendit.

Mehmeti tha se viti 2017 ka qenë vit i suksesshëm për BQK-në, ngase me kohë kanë arritur t’i kryejnë të gjitha obligimet duke u përkushtuar për të siguruar sistem financiar të qëndrueshëm për vendin, raporton Ekonomia Online.

Mehmeti ka thënë se sistemi financiar po vazhdon të rritet me ritëm të qëndrueshëm, duke përfaqësuar një nga komponentët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe njëkohësisht stabilitetit të ekonomisë së vendit.

“Aktiviteti kreditor i sektorit bankar ka vazhduar të karakterizohet me ritëm të përshpejtuar të rritjes, si rezultat i përmirësimit të kushteve të kreditimit nga ana e bankave dhe rritjes së kërkesës për kredi nga ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare. Në vitin 2017, vlera e gjithsej kredive arriti në 2.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.5 përqind”.

“Gjatë vitit 2017, kreditimi i të gjithë sektorëve të ekonomisë shënoi rritje, ku vlen të theksohet veçanërisht rritja e kredive për sektorin e ndërtimit, bujqësisë dhe prodhimit. Zvogëlimi i theksuar i normave të interesit në kredi nga ana e bankave që po ndodhë në dy vitet e fundit paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm për lehtësimin e qasjes në financa edhe për këta sektorë”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Sipas tij, rol të rëndësishëm po luan edhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, shfrytëzimi i të cilit ka shënuar trend të vazhdueshëm të rritjes dhe ka kaluar vlerën mbi 30 milionë euro në fund të vitit 2017.

“Rritja ekonomike për këtë vit do të luhatet nga 4.2 deri në 4.4 për qind”

Guvernatori tha se rritja ekonomike për vitin 2017 është vlerësuar të jetë 3.7%, kjo rritje sipas tij u gjeneruar nga rritja e investimeve prej 10.7%.

“Ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet edhe gjatë vitit 2017 sipas vlerësimeve preliminare te Agjencia e Statistikave të Kosovës norma reale e rritjes ekonomike në vitin 2017 ishte 3.7% kjo rritje u gjenerua kryesisht nga rritja e investimeve prej 10.7%”.

“Ndërsa vlerësimet preleminare nga Agjencia e Statistikave japin se konsumi gjatë këtij viti ka shënuar një rënie prej 1.6%”, tha Mehmeti.

Për vitin 2018, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes ekonomike do të luhatet në intervalin 4.2 deri në 4.4 për qind.

Mehmeti ka vazhduar raportimin duke folur për depozitat në sektorin bankar dhe sistemin pensional.

Sipas tij, veç në vitin e kaluar depozitat arritën vlerën e 3.1 milionë eurove. Rritje u shënuan është në sistemin pensioanl.

“Në vitin 2017 vlera e depozitave në sektor bankar arrit 3.1 miliardë euro që paraqet rritje vjetore prej 6.8% kjo qëndrueshmëri e depozitave shpreh besimin e lartë të publikut në sektorin bankar të ndërtuar mbi bazën e stabilitetit që e ka karakterizuar këtë sektor që nga fillimi i funksionimit të tij”, tha ai.

“Sistemi pensional shënon rritje të arkëtimeve të kontributeve pensionale dhe regjistrim pozitiv nga investimet duke bërë që të shtohet vlera e kursimeve pensionale”, tha ai.

Mehemti ka përmendur edhe zhvillimin pozitiv në uljen e normës së interesit në kredi, që për një kohë të gjatë ishin konsideruar si njëra ndër pengesat kryesore për zhvillimin e biznesit.

“Në vitin 2017 vazhduan të shënojnë rënie duke zbritur në nivel me mesataren e vendeve të tjera të rajonit, ndërsa në fund të vitit, norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.8 përqind, krahasuar me normën prej 7.2 përqind sa ishte në vitin paraprak”.

“Zvogëlimi i kostos së financimit kreditor është ndikuar edhe nga norma e interesit në depozita, e cila në vitin 2017 ishte 1.3 përqind, ndërsa vlera e gjithsej depozitave në sektorin bankar arriti në 3.1 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.8 përqind. Norma e kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive gjatë këtij viti zbriti në 3.1 përqind krahasuar me normën prej 4.9 përqind sa ishte në vitin 2016”.

“Sistemi pensional shënoi rritje të arkëtimeve të kontributeve pensionale dhe regjistroi kthim pozitiv nga investimet, ku vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional arriti në 1.65 miliard euro, me një rritje prej 16.0 përqind.

“Sa i përket sektorit të sigurimeve, vlera e gjithsej primeve të shkruara në vitin 2017 shënoi një rritje vjetore prej 3.9 përqind, përderisa në të njëjtën periudhë, gjithsej dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve dhe Byroja Kosovare e Sigurimit shënuan një rritje vjetore prej 17.8 përqind”.

“Sektori mikrofinanciar dhe financiar jobankar vazhdoi të shërbejë si burim i rendësishëm i financimit, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe ekonomitë familjare, ku në vitin 2017, vlera e gjithsej kredive të këtij sektori arriti në 143.9 milionë euro, që përkon me një rritje të theksuar vjetore prej 32.1 përqind”.

Guvernatori Mehemti ka përmendur edhe punën e vazhdueshme të BQK-së në avancimin e legjislacionit sekondar dhe në harmonizimin e këtij legjislacioni me direktivat BE-së, dhe me standardet ndërkombëtare.

Deputetët i japin mbështetje punës së BQK-së

Por raporti që paraqiti Mehemti nuk u hodh në votim në mungesë të kuorumit, por që deputetët që ishin të pranishëm e diskutuan atë.

Sipas tyre, raporti duhet të jetë edhe një udhërrëfyes i mirë për qeverinë për hartimin e politikave zhvillimore, përfshirë edhe proceset buxhetore, raporton EO.

“Ne konsiderojmë se Raporti përmban elemente të rëndësishme dhe është udhërrëfyes i mirë për Qeverinë e Kosovës për hartimin e politikave zhvillimore pra një bazament i të dhënave të duhura për hartimin e politikave zhvillimore”.

“… duke pasur parasysh këtë çështje se ministri aktual i financave ka qenë udhëheqës i këtij institucioni të rëndësishëm që ai se paku do ketë parasysh këtë raport për të hartuar edhe në buxhetin e Republikës se Kosovës si dhe kornizat afatmesme buxhetore 2019-21”, tha Blerim Kuçi, nga AAK-ja

Safete Hadergjonaj, deputete nga PDK tha se raporti vjetor i BQK-së për vitin e kaluar ka qenë në harmoni me të gjitha ligjet dhe se është dorëzuar me kohë, ku paraqitet gjendja ekonomike në Kosovë.

“Raporti i BQK ka qenë në harmoni me ligjin për Bankën e Kosovës i cili është dorëzuar brenda afatit ligjor në Komisionin për Financa raporti ofron të dhënat për gjendjen ekonominë në përgjithësi”, tha ajo.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme