Hamza: Në Planin e Qeverisë, fokusi kryesor përkrahja e sektorit privat

Prishtinë | 19 Sht 2017 | 14:27 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave, fokus kryesor në këtë mandat, do të ketë mbështetjen dhe përkrahjen e sektorit privat.

Ky ishte zotimi i ministrit të Financave, Bedri Hamza, sot gjatë një takimi me udhëheqës të Asociacioneve të Biznesit në Kosovë. Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes në Kosovë.

“Jemi të sigurt se sektori privat do të jetë bartës kryesor i rritjes ekonomike dhe të krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës”, tha Hamza.

“Unë sot jam bashkë këtu me kolegët nga Ministria e Financave, me qëllim që ta vendosim një bashkëbisedim dhe një dinamikë, t’i shtyjmë bashkërisht proceset përpara”, tha ministri i Financave, në takimin me udhëheqësit e Asociacioneve të Biznesit.

Ministri me këtë rast ka paraqitur vizionin e tij sa i përket lehtësimeve për të bërë biznes në vendin tonë.

“Siç e dini bazat e sistemit tatimor në Kosovë kanë filluar në vitin 2008, ka pasur vazhdimisht plotësime dhe ndryshime të politikave fiskale. Dhe sigurisht që edhe tani, por edhe në të ardhmen, do të paraqiten nevojat që ne të reflektojmë në politikat tona fiskale krejt këta me qëllim të përmirësimit të ambientit për biznes”.

Sipas tij, gjatë këtij mandati në programin qeverisës nuk është parapa që të ngrihet norma tatimore, nuk është parapa që të vendosim tatime edhe ngarkesa të reja për biznesin.

“Fokusi jonë është që në si Ministri të mbesim të përkushtuar në hartimin e politikave të atilla tatimore që kanë për fokus mbështetjen e prodhimit vendor, me qëllim të zvogëlimit të deficitit të lartë tregtar, dhe me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës. Për ma tepër në program qeveritar kemi parapa edhe thjeshtësimin e sistemit tatimore dhe doganor, dhe ngritjen e kapaciteteve administruese të tatimeve dhe të doganave nga agjencitë përkatëse”, shtoi ministri Hamza.

“Gjithçka çka është diskutuar deri më tani, sa i përket politikave fiskale, reformave në këtë fushë, sigurisht se ne i kemi në konsideratë, mirëpo sot jemi këtu që bashkërisht të dakordohemi dhe unë jam shumë i hapur që të pres propozime të reja mbi këtë, çka na mundemi të bëjmë më shumë dhe cilat janë pengesat që ne duhet t’i adresojmë me qëllim të krijimit të parakushteve për bizneset në Kosovë”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe ka vendosur si prioritet tonë lehtësimin në qasje në financa.

“Për këtë është themeluar Fondi për garantimin e kredive dhe ne kemi filluar bisedat që kapitali modest i këtij Fondi të ngritët në një nivel tjetër, krejt kjo me qëllim që ndërmarrjet dhe planet e bizneseve të cilat kanë fizibilitet, sidomos për gjeneratat e reja, sidomos në fushën e prodhimit, por nuk kanë arrit të ende të krijojnë një historikë dhe një kolateral për bankat ky Fond mundëson granatimin e kredive”, shtoi ministri Hamza.

“Duke ju falënderuar edhe një herë për pjesëmarrje dhe duke pasur konsideratë kohën e juaj, sepse ju punoni edhe për vete, ju punoni edhe për familjet e juaja, ju punësoni shumë njerëz, ju kontribuoni në Buxhetin dhe në mbushjen e arkës së shtetit”, shtoi ministri Hamza.

Ndërsa, përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatat e Bizneseve duke falënderuar ministrin Bedri Hamza për ftesën, shprehën gatishmërinë e tyre për të parashtruar kërkesat e tyre të reja të cilat do të shërbenin për të plotësuar edhe më shumë reformën fiskale në Kosovë. Ata gjithashtu theksuan se është hera e parë që një ministër i Financave po deklarohet publikisht se si objektiv të veten e ka krijimin e barazisë si dhe kushteve më të mira për prodhuesit vendorë.

Po ashtu gjatë takimit përfaqësuesit e bizneseve kërkuan që Pakoja fiskale 2.0 të fillojë së implementuari sa më shpejtë në mënyrë që të fillojnë të vërehen edhe efektet e saja në të bërit biznes në Kosovë.

Kryetari Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se kompletimi i legjislacionit që të mundësoj  hyrjen  në fuqi të pakos fiskale 2.0, kjo nuk do të krijonte pabarazi në treg, por është mase e nevojshme.

Ai foli edhe për punën e Doganës e ATK-së. “Një vlerësim për punën e ATK-së së dhe Doganës që kemi një dialog mjaft konstruktiv dhe ajo çka vlen të ceket është numri shumë i vogël i ankesave shumë i vogël për këto dy institucione. Si shqetësim i joni është se vendimi për rritjen e pagave në sektorin publik  do të rriste hendekun e pagesave në mes të sektorin privat dhe atë publik”, tha Zeka.

Por, ndryshe mendon kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Sipas tij, me pakon fiskale janë mashtruar bizneset.

“Bizneset janë mashtruar me pakon fiskale 2.0 dhe kërkoj nga ju që kjo të vazhdoj dhe të plotësohet me kërkesat e tjera të bizneseve sepse politikat ekonomike kanë krijuar tkurrje ekonomike duke ulur investimet, duke humbur besimin e qytetarëve në këtë vend prandaj duhet që pa kushte të hiqen të gjitha tatimet për lëndën e parë dhe teknologjinë prodhuese. Fiskalizimi është problem tjetër ku kemi shumë biznese që nuk operojnë me arka fiskale dhe kjo krijon pabarazinë e madhe si dhe rritja e informalitetit”.

“Këshilli konsultativ që në qeverinë e kaluar që nuk ka funksionuar fare gjithashtu kërkojmë nga ju rifunksionalizimin e Bordit të Pavarur për Ankesa. Gjithashtu bizneset kanë kërkuar qe të shtyhet afati i ligjit për faljen e borxheve”, tha ai.

 

 

 

Të ngjashme