Hapet konferenca “KosICT” – Lluka: Duam të bëhemi qendër në Ballkan për teknologji informative

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 18:48 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Konferenca rajonale e teknologjisë dhe biznesit “KosICT” ka hapur edicionin e saj të shtatë, e cila mbahet sot dhe nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Në konferencën e cila ka mbledhur entuziastë dhe profesionistë të teknologjisë së informacionit, mori pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Ministri Lluka tha se duan që Kosova të jetë qendër e Ballkanit Perëndimor për teknologji informative, raporton Ekonomia Online.

“Premtojmë se ediconin e ardhshëm do të kemi një park teknologjik. Në edicionin e ardhshëm do të kemi më shumë informacione se cilat territore do t’i përfshijë dhe gjëra të tjera. Projekt tjetër është edhe fondi IPA. Kjo është e ardhmja e ekonomisë së Kosovës. Ne duam të jemi qendra e Ballkanit Perëndimor për teknologji informative”.

Lluka premtoi që në edicionin e ardhshëm të konferencës, parku teknologjik veçse do të jetë i përfunduar, raporton EO.

“Jam i lumtur që më në fund parku teknologjik po e merr formën finale dhe premtoj që edicionin e radhës do ta kemi parkun të përfunduar dhe ky nuk është një premtim politik, është premtim i vërtetë”.

“Përpos parkut teknologjik, ne kemi edhe projekte tjera të rëndësishme që nuk kanë kërkuar shumë investim. Për shembull, para dy muajsh Ministria e Zhvillimit Ekonomik shpërndau robotë dhe printerë 3D dhe materiale të tjera për 65 shkolla të mesme të Kosovës, me qëllimin që t’u ofrojmë të rinjve mundësi të jenë më kreativë”.

Lluka tha që investimi duhet të bëhet te moshat e reja, nëse dëshirojmë ta ndryshojmë vizionin e vendit.

“Jemi duke e testuar të njëjtin projekt edhe me dy shkolla fillore dhe jemi duke testuar që nëse këto shkolla tregohen të suksesshme t’i mbulojmë 100 për qind të gjitha shkollat e Kosovës me hapësira krijuese. Ne besojmë se nëse dëshirojmë të ndryshojmë vizionin e një vendi në teknologji dhe kreativitet duhet të investojmë në moshat e reja”.

Ministri Lluka, njoftoi pjesëmarrësit për hapat që ka marrë Ministria, si në rastin e lehtësirave doganore e fiskale që janë bërë me fokus të veçantë për këtë sektor, por edhe në hapat konkret për të zhvilluar infrastrukturën broadband në tërë Kosovën, rritjen e aftësive dixhitale si dhe për dixhitalizimin e ekonomisë së Kosovës.

Po ashtu, i pari i MZhE-së, ka folur edhe për projektet që janë aktuale si: Programi për Ekonominë Dixhitale të Kosovës (KODE), shtrirja e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në zonat e pambuluara si dhe për mbështetjen nga Komisioni Evropian përmes fondeve të IPA II (3 milion euro), që ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për ekonominë digjitale dhe mbështetjen për bizneset digjitale. Projekt ky që do të zbatohet nga viti 2019 deri 2021.

Të ngjashme