Hapet Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare, do të udhëhiqet nga ndërmarrësi i suksesshëm Fikret Murati

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Zvicrës, sot në Prishtinë është themeluar Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare.

Në mënyrë unanime, kryesues i kësaj organizate është përzgjedhur ndërmarrësi i suksesshëm, Fikret Murati. Si një ndërmarrës që është rritur në Zvicër,  Murati u kthye në Kosovë për ta hapur kompaninë e suksesshme “Speeex”. Për të, ceremonia e sotme është fillimi i një zhvillimi ekonomik të bazuar në praktikat zvicerane.

“Ju falendëroj përzemërisht. Është një nder dhe krenari për mua që të jem prezent këtu mes jush, dhe është një nder i madh që ta kem besimin e juaj për këtë mandat. Ky është një moment shumë i veçantë për mua, ashtu siç e ceka në fillim, jam rritur në Zvicër dhe aty kam kaluar gjithë fëmijërinë time. Sot jam qytetar i Zvicrës dhe Kosovës, andaj tash po më kujtohet dhe mund të them se i kam bërë prindërit dhe paraardhësit e mi krenarë”, tha ai.

Para të pranishmëve, Murati u shpreh optimist se do të jetësojë projektet që pritet të rrjedhin nga bashkëpunimi i mirëfilltë në mes palëve.

“Jam shumë optimist për këtë bashkëpunim për mundësi të reja, rrjetëzim të ri dhe një bazament thelbësor që do ta ndërtojmë së bashku. Na pret një rrugëtim i ndritur dhe i bardhë, që së bashku me ekipin që do të përzgjedhet me anëtarët e tjerë të bordit do të punojmë që ta jetësojmë rrugëtimin tonë në integrim me ekonominë zvicerane”.

Në këtë ceremony të themelimit është zgjedhur edhe kryesusi i Thesarit, Armend Osaj nga “ACA” (Bashkëpunëtorët e Auditimit dhe Këshillimit), teksa Zëvendës President është zgjedhur Granit Vokshi nga “Koci&Vokshi” me 13 vota PËR, teksa Bekim Kasumi nga ”Smart Bits” mori 7 vota.

Themelimi i organizatës është përshendetur edhe nga të pranishmit tjerë, si përfaqësuesja qeveritare Fëllanza Podrimja dhe zëvendësambasadorja e Zvicrës, Pauline Menthonnex Gacaferri dhe përfaqësues të Odës Gjermane.

Të ngjashme