Hapet panairi “Expokos”, mbledh kompani të ndërtimtarisë, energjetikës e patundshmërisë

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 10:54 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, është hapur panairi “Expokos 2018”, dedikuar ndërtimit, energjetikës, teknologjisë dhe patundshmërive.

Qëllimi kryesor i organizimit të përvitshëm të këtij panairi u tha se është gjetja e partnerëve të biznesit dhe klientëve të rinj si nga kompanitë vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani tha se ky panair ndihmon shtetin e Kosovës që të krijojë ura të bashkëpunimit më ndërkombëtarë dhe të njihen më mirë produktet e vendit.

“Panaire të tilla me karakter ndërkombëtar lë të kuptoj që këtu mund të krijohen ura të bashkëpunimit që janë të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe si Qeveri e Kosovës ne po punojmë që t’i mundësojmë tregtisë së lirë të punojnë sa më shumë që të largohen të gjitha barrierat si tarifore dhe jo tarifore ne Kosovë”, tha Hasani.

“Raporti që është publikuar nga Banka Botërore, Kosova ka qenë ndër 10 vendet që kanë bërë progres dhe reformim të shpejtë dhe kjo tregon që ulja nga vend i 60 në 40 ka bërë progres të mjaftueshëm në ambientin e të bërit biznes”, shtoi Hasani.

Ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj tha se pa ekonomi të vendit një shtet nuk mund të ekzistoj prandaj iu referuar bizneseve të pranishme që ata e bëjnë ekonominë e vendit dhe se qeveria kosovare duhet të iu ofrojë respekt meritorë për angazhimet e këtyre bizneseve.

“Kosova po krijon ambient çdo dite e me shumë për te investuar. Ne do te jemi në çdo vend për tu zhvilluar një ekonomi familjare sepse kështu ndihmojë reciprokisht njeri tjetrin”, shtoi Lekaj.

Drejtori i Odës Ekonomike Britanize më Kosovë, Bekim Kastrati tha se qeveria britaneze ka potencial të madh që të ndihmojë bizneset kosovare.

“Dhoma e Ekonomisë Briztaneze shërben si platformë të krijojë lidhje bashkëpunimi afariste në mes Kosovës dhe Britanisë për të krijuar bashkëpunim dhe shkëmbime ekonomike në mes këtyre dy vendeve”, tha Kastrati.

Shpend Krasniqi, përfaqësues i kompanive IVT Swiss Kosova, Next Bau dhe S.F.S. Industrie tha se në këtë panair marrin pjesë për herë të parë.

Ai tha se pret mbështetje nga Qeveria e Kosovës për zgjerimin dhe promovimin e mëtutjeshëm të këtyre kompanive dhe po ashtu besojnë së ky panair do të iu hapë dyert për bashkëpunim me kompanitë vendore si dhe ato ndërkombëtare.

“Kjo është kompani zvicerane e cila operon që 10 vite në Zvicër, për herë të parë ka ardhur në Kosovë në këtë panair dhe pjesëmarrja në panair do të thotë një mundësi e mirë që të krijojmë kontakte me bizneset në Kosovë“, tha Krasniqi.

“Kjo kompani ka të bëjë me vegla pune për shfrytëzim në shtëpi dhe biznese tona për ndërtimtari, infrastrukturë rrugore pra të gjitha këto i përshinë kompania”, shtoi Krasniqi.

Pjesë e këtij edicioni të panairit janë kompani prestigjioze nga Britania, Italia, Gjermania, Greqia, Turqia si dhe një numër i madh i kompanive nga vendi dhe shtetet e tjera të Ballkanit, të cilat për vizitorët e panairit do të prezantojnë risitë e fundit në fushat e tyre.

Në këtë vit do të marrin pjesë edhe dhjetë kompani shqiptaro-britaneze të organizuara nga Oda Ekonomike Britanike.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme