Hapet panairi “Forumi i bizneseve në Prizren”, Qeveria premton përkrahje për bizneset

Prishtinë | 27 Tet 2017 | 17:57 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është  bërë hapja e  edicionit të katërt të panairit “Forumi i bizneseve në Prizren”, i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore.

Gjatë hapjes së këtij panairi zyrtarët qeveritar që morën pjesë aty u shprehën të përkushtuar në mbrojtje dhe fuqizim të prodhimit vendor me qëllim të uljes së deficitit tregtar dhe në funksion të rritjes ekonomike të vendit.

Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Bajram Hasani, tha se ky organizim do të hapë rrugë të reja për zhvillim ekonomik, raporton Ekonomia Online.

“E gjithë kjo po bëhet që ta përkrahim sektorin privat që të ulet deficiti tregtar dhe të mundësohet rritja e qëndrueshme ekonomike. Krijimi i zonave ekonomike, lehtësimi në financa, përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, janë disa nga planet që MTI ka për zhvillim ekonomik. Jemi të fokusuar edhe në zhvillimin e prodhimeve vendore dhe jemi duke i shqyrtuar mundësitë për disa ndryshime ligjore. Ju siguroj që gjatë vitit 2018 do t’i bëjmë këto ndryshime ligjore për të mbrojtur dhe zhvilluar prodhimet vendore”, tha ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se kjo ngjarje është ndër me të spikatura për promovimin e prodhimeve vendore.

“Mbetet përkushtim i yni qeveritar që të krijohet ambient i përshtatshëm për organizime të tilla që kanë qëllim zhvillimin ekonomik. Ngjarjet e tilla, ku promovohet edhe turizmi, do ta kenë mbështetjen e ministrisë së kulturës, rinisë dhe sportit”, tha Gashi.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj, ka thënë se kjo ministri ka mbi 10 milionë euro buxhet dhe mbi 9 milionë i janë kushtuar sektorit privat.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka qëllim përgatitjen e gjeneratave të reja që kanë ide për ndërmarrësi dhe ide inovative. Qeveria e Kosovës ka dhënë përkrahje për sektorin privat, i cili prodhon vende të reja të punës në bazë të kapaciteteve prodhuese.

Nënkryetari e Prizrenit, Lulzim Kabashi, tha se panairi do të stimulojë zhvillimin ekonomik në Prizren dhe si i tillë ai do të ketë mbështetjen edhe të qeverisjes lokale.

Të pranishëm në këtë panair ishin edhe përfaqësues nga Oda e Ekonomisë së Maqedonisë dhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës.

 

Panairi  “Business Forum Prizren” ka mbledhur rreth vetes rreth  140 firma nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Italia, Norvegjia, Belgjika etj.

Të ngjashme