Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit ‘Kosova 2022’

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2022” do të hapet sot në Prishtinë.

Në hapje të panairit marrin pjesë ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, presidenti i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, kryetari i Organizatës turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, drejtori i Agjencisë Kombëtare për Promovim të Turizmit në Maqedoninë e Veriut, Ljupço Janevski si dhe ambasadorët e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ky panair theks të veçantë ka promovimin e turizmit të Kosovës si dhe të krijojë lidhje më të forta bashkëpunimi me subjekte të ndryshme të turizmit në rajon dhe pjesën tjetër të botës.

Në ditën e parë të panairit do të nënshkruhet memorandumi për bashkëpunim mes Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK) dhe Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, do të prezantohen të arriturat e UTK dhe publikimi i Aplikacionit të Turizmit “Think Kosova”, prezantimi i Komunës së Ulqinit për oferta turistike Ulqini 2022 dhe të tjera.

Panairi organizohet nga Unioni i Turizmit të Kosovës në partneritet institucional, ndërkombëtar si dhe bashkëpunëtorë me Unionin Turistik Shqiptar, si dhe me shtete të ndryshme si Shqipërinë, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Malin e Zi, Bullgaria, Turqia, Greqia dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Të ngjashme