Hapet thirrja për t’i ndihmuar qytetarët – Rizvanolli: Do t’i kursejmë 12 milionë €

Prishtinë | 06 Tet 2022 | 11:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për medie ka prezantuar masat për subvencionim të efiçienës së energjisë për qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, pas këtyre masave do t’ia kursejnë shteti mbi 12 milionë euro për dimrin që po vije.

Rizvanolli shtoi se qytetarët do të mund të aplikojnë për t’u subvencionuar nga këto masa, duke theksuar do të përfitojë 10 mijë familje.

Ajo ka sqaruar se aplikimi për këto masa bëhet në E-Kosova.

“Nga sot kemi hapur thirrje për subvencionim për qytetarët në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen janë kaldajat me biomasë dru, peletë, briketë që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së invesimit apo 1200 euro, pompat termike që ulin 30% të konsumit të energjisë do të subvencionohen deri në 2 500 euro, kondicionerët efiçentë deri në 40% apo 400 euro, stufat indivudale efiçente me biomasë, dru, për familjet me skemë sociale me 90% apo 560 euro. Për të tjerët 70% apo 435”.

Aplikimi për këto masa, sipas ministres, bëhet në E-Kosova.

PAJISJET TË CILAT DO TË SUBVENCIONOHEN

  • Pompë termike
  • Pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente)
  • Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket)
  • Stufa individuale me biomasë

Klikoni KËTU për ta shkarkuar thirrjen publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët.

Fjalimi i ministres Rizvanolli në konferencë:

Kam kënaqësinë të ju njoftoj që nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve efiçiente  ekonomike për ngrohje, në vlerë prej 6 milionë euro.

Pajisjet që do të subvencionojmë përfshijnë:

1. Kaldajat me biomasë (dru, pelet, briket), do të subvencionohen me 70% të vlerës; subvencioni deri në 1200 euro;

2. Pompat termike (të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri në 70%), do të subvencionohen me 30% të vlerës; subvencioni deri në 2500 euro.

3. Kondicionerët efiçientë (të cilët gjithashtu ulin shpenzimin deri në 70%), do të subvencionohen me 40% të vlerës; subvencioni deri në 400 euro.

4. Stufat individuale efiçente me biomasë (dru), të cilat – për familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale do të subvencionohen me 90%, subvencioni deri në 560 euro; ndërsa për të tjerët deri në 70%, subvencioni deri në 435 euro.


Aplikimi për këto bëhet online përmes platformës eKosova. Kriteret e përfitimit dhe specifikat teknike të pajisjeve që subvencionohen janë të specifikuara qartë në thirrjen për aplikim.

Qëllimi i masave është i dyfishtë:

– Të ndihmojë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa të tjera (pelet, dru, briket) ose me pajisje elektrike që shpenzojnë 60-70% më pak energji elektrike. Kriteret specifike mund t’i lexoni në thirrje.

– Të ndihmojë të gjitha familjet pavarësisht se me çfarë ngrohen dhe veçanërisht familjet me kushte më të vështira ekonomike, për të pasur efiçiencë më të lartë – do të thotë, për të arritur të mbajnë ngrohtë shtëpitë e tyre dhe këtë me më pak shpenzime për dru, apo lëndë të tjera djegëse.

Me këto masa synojmë të përkrahim së paku 10,000 familje. Si rezultat i masave presim ulje prej gati 70% të konsumit të energjisë së konsumuar nga këto familje për ngrohje. Kjo do të thotë që këto familje do të përfitojnë shumëfish:

– E para, përfitimi direkt nga subvencioni për pajisje, në vlerë prej 400 deri 2500 euro.

– E dyta, kursimi duke ulur faturat e energjisë elektrike ose shpenzimet për dru e lëndë të tjera djegëse

– E treta, këto familje që kursejnë energji elektrike përfitojnë shtesë subvencionin e qeverisë të lidhur me kursimin.

Këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro vetëm gjatë këtij dimri.

Falënderoj ekipin të cilët kanë dizajnuar këto masa, përfshirë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Fondi i Efiçiencës së Energjisë, Agjencia e Efiçiencës së Energjisë, dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Falënderoj veçanërisht Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për asistencën teknike për dizajnim dhe promovim të këtyre masave.

Gjithashtu, falënderoj edhe Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për këshillimin profesional në bazë të përvojave të tyre në zbatim të masave të ngjashme.

Kjo është skema e parë e institucioneve të Kosovës për përkrahje të efiçëncës së energjisë për qytetarët. Kjo përvojë do të zhvillojë kapacitetet institucionale dhe hap rrugën që institucionet tona të vazhdojnë me zbatimin e masave të tjera të ngjashme e edhe më komplekse për të përkrahur qytetarët, si për shembull përmes subvencionimit të pajisjeve shtëpiake efiçiente, paneleve solare, paneleve solare për ngrohje të ujit, izolimit të shtëpive, etj.

Siç e kemi thënë vazhdimisht, secili veprim për kursim të energjisë është jo vetëm kursim për konsumatorët dhe buxhetin e shtetit, por edhe i rrit gjasat për furnizim të rregullt me energji. 


Të ngjashme