Haradinaj: Do të gjenden mundësi ligjore që t’i japim 2 milionë euro Feronikelit për paga

Drenas | 01 Maj 2018 | 10:51 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar se do të gjenden mundësi ligjore që Feronikelit t’i japin 2 milionë euro për pagesat e rrogave të punëtorëve për muajt mars dhe prill, raporton Ekonomia Online.

Këto komente ai i bëri pas takimit me krerë të Sindikatës së Feronikelit, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Sipas kryeministrit kjo shumë sasi më pas do t’i kthehej Qeverisë. Haradinaj shtoi se është e rëndësishme që Feronikeli të vazhdojë punën.

“Për simbolikën e ditës së sotme kemi pasur rastin të takojmë sindikatën e Feronikelit, kryetarin Fehmi Nika. Qeveria e Kosovës i ka borxh Feronikelit një shumë të caktuar, është si rimbursim i TVSh-së, me të cilën lidhen edhe pagat për muajt mars dhe prill”.

“Besoj që do te gjendet zgjidhja e duhur për këtë në bazë të ligjit. Na intereson që Feronikeli të vazhdojë të operojë sepse janë 820 punëtorë dhe besoj që do të gjendet zgjidhja. Vërehet një dinamike në komunë, një seriozitet në punë dhe më vjen mirë që është kështu”.

Ai bëri të ditur se me Lladrovcin kanë diskutuar edhe pronat të cilat janë në menaxhim të AKP-së dhe institucioneve tjera. Sipas Haradinajt ato prona duhet tu kthehen komunës së Drenasit.

“Ishte mundësi e mirë që të bisedojmë për të gjitha projektet zhvillimore në Drenas, përfshirë edhe mundësinë e financimit të këtyre projekteve. Pastaj për disa tema që lidhen me pronat. Drenasi ka projekte zhvillimore por kërkon që një pjesë e pronave që janë në pronësi të AKP-së dhe mekanizmave tjerë t’i kthehen komunës, sepse në atë mënyrë do të ishte në interes të zhvillimit të kësaj komune”.

Haradinaj i ka ndarë një dekoratë Lladrovcit, siç tha për punën e mirë në komunë dhe respektin e tij si bashkëluftëtar dhe familjar i heroit Femhi Lladrovci.

“Për këtë, por edhe për hir të respektit që është bashkëluftëtar dhe familjar i heroit Fehmi Lladrovci, sot i kam sjellë një dekoratë të Skënderbeut”.

Ndërsa Lladrovci tha se i ka kërkuar kryeministrit që sa më parë të kryej obligimet e saj financiare ndaj Feronikelit. Ai tutje shtoi se e ka njoftuar kryeministrin për projektet që po realizohen në komunën që ai drejton.

Lladrovci e garantoi kryeministrin se projektet që do të vijnë nga Qeveria, komuna e Drenasit do t’i realizojë shpejt dhe në mënyrën më të mirë.

“Kërkojmë nga qeveria dhe ministria e Financave, ne kemi informacione që ka një rimbursim Feronikeli që duhet me kryer Qeveria. Duhet të paguhen rimbursimet në mënyrë qe punëtorëve tu paguhen dy pagat e mbetura dhe të fillojë procesi i prodhimit, sa më shpejt ta kryeni këtë obligim”.

“Edhe një herë e garantoj kryeministrin që çdo investim që do të vije nga qeveria do të zhvillohet në mënyrën më të shpejtë dhe më të mirë të mundshme”.

Haradinaj fillimisht ka vizituar edhe vendin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar në Drenas.

Më pas ai do të shkojë edhe në Skenderaj.

Të ngjashme