Haradinaj e Hamza vizitojnë Doganën: 65 për qind e buxhetit nga ky institucion

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 16:04 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bashkë me ministrin e Financave, Bedri Hamza kanë bërë një vizitë pune në Doganën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj tha se 65 përqind të buxhetit të Kosovës janë nga doganat. Ai kërkoi që në këtë 20 vjetor të Doganës ë Kosovës, të këtë më shumë arritje të parametrave.

“Është me rëndësi të theksohet se si institucion Dogana ka mbledhë për buxhetin mbi 65 përqind të buxhetit në total. Janë 582 pjesëtarë të agjencisë së Doganave, misioni i tyre është më të vërtetë i rëndësishëm, është mision jo vetëm punë e zakonshme.  Është buxheti, është siguria kombëtare por janë edhe të gjitha ato informata të nevojshme për trendet ekonomike importit dhe eksportit që i bojmë bashkë. Erdha me i falenderu për me i shprehë përkrahjen time për punën që e bëjnë. Edhe me ju kërkuar arritjen e parametrave, po hyjnë në dekadën e tretë ku po bëhen 20 vjet të ekzistencës tonë si treg. Drejtori shpjegoi që në vitin që vjen bëhen 20 vjet dhe me këtë nënkuptoj që të rriten parametrat më shumë, me i rritë treguesit më shumë është në interes të të gjithë neve”, u shpreh Haradinaj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka lavdëruar punën e Doganës së Kosovës duke thënë se është një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, raporton EO.

“Bashkë me kryeministrin Haradinaj ndodhemi në objektin e doganës, në një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, ku e dimë se është një prej kontribuuesve më të mëdhenj në buxhetin e shtetit dhe falë punës së tyre dhe agjencioneve të tjera që merren me grumbullimin e të hyrave siç është Administrata Tatimore, ne kemi arritur ta përmbyllim një vit të suksesshëm siç ka qenë viti 2018-të. I kryem të gjitha obligimit ligjore kontraktuale për paga dhe pensione në kohë, ti paguajmë të gjitha faturat për të gjitha organizatat buxhetore”, ka thënë Hamza.

Ai ka folur për të arriturat ekonomike gjatë vitit që lëmë pas, duke përmendur se rritja ekonomia ka qenë më e madhja në 5-6 vitet e fundit. Ai tha se kjo rritje është diku 4.3 për qind.

“Deficiti primar është shumë më mirë se ai i planifikuari, presim të jetë diku rreth 1 për qind e bruto produktit vendor derisa e dimë që ka qenë 2 për qind i planifikuar dhe në fund të vitit , shteti jo që ka pasur zvogëlim të parasë së gatshme, zvogëlim të bilancit bankar, por ka pasur rritje të bilancit bankar. Presim që rritja ekonomike për vitin 2018-të të jetë më e mirë se në vitin 2017-të. Vlerësimet tona janë që është diku rreth 4.3 për qind dhe është rritja më e madhe ekonomike në 5-6 vitet e fundit. Kemi pasur dinamikë më të madhe të ekzekutimit të kapitaleve ku për herë të parë mas 6 viteve të kalohet niveli prej 500 milionëve që kemi 530 milionë te ekzekutimeve”, ka thënë Hamza.

Ai tha se i garantuar drejtorit të Doganës për përkrahje të vazhdueshme.

“ Do të procedojmë me ligje që të kemi një ambient më të mirë për bizneset. Do ti përkrahim për kushte më të mira dhe për luftimin e informalitetit”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Doganës, Bahri Berisha tha se Dogana e Kosovës ka pasur të arritura gjatë vitit 2018, të cilat ia kanë kumtuar edhe kryeministrit dhe ministrit të Financave.

Sipas Berishës, janë bërë reforma në luftimin e kontrabandës, ekonomisë jo formale dhe arritja e inkasimit të të hyrave.

“Pata kënaqësinë të njoftoj kryeministrin dhe ministrin e Financave për punën që kemi bërë në vitin 2018, të arriturave që kemi pasur në fushën e të hyrave, luftimin e ekonomisë jo formale, krijimin trans kufitarë të kontrabandës dhe shumë procese të tjera, siç janë reforma që  është duke zhvilluar dogana në fushën e lehtësirave  tregtare në menaxhimin e doganave, proceset biznese të punës. Patën një takim punë ku jemi njoftuar për rolin e doganave që e ka për shtetin e Kosovës dhe rolin për qytetarët e Kosovës. Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër që patëm me kryeministrin dhe ministrin e Financave sot”, tha Berisha, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme