Haradinaj: Serbia të zbatojë ujdinë për energjinë, mund të ngecin marrëveshjet tjera

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 10:28 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri, Ramush Haradinaj tha se mos zbatimi i marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë po shkakton pasoja të mëdha në zhvillimin e energjisë në vend.

Kryeministri Haradinaj e cilësoi si shqetësues rregullimin e marrëdhënieve në tregun e energjisë, duke theksuar se një marrëdhënie e pa konfirmuar ndërmjet KOSTT-it dhe transmisionit të Serbisë po shkakton pasoja jo vetëm për ne, për tregun tonë, por për gjithë tregun evropian.

Sipas kreut të ekzekutivit kjo çështje duhet që të zgjidhet sa më shpejt, ngase moszbatimi i saj mund të shkaktojë ngecje në zbatimin e marrëveshjeve të tjera, raporton Ekonomia Online.

Këto komente ai i bëri në forumin e Tretë të Nivelit të Lartë për Energji “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) në bashkëpunim me USAID-in.

“Ajo çka na shqetëson është rregullimi u marrëdhënieve në tregun e energjisë, një marrëdhënie e pa konfirmuar mes KOSTT dhe energjisë së Serbisë e cila po shkakton pasoja të mëdha në zhvillimin e energjisë në Kosovë”.

“Kjo tema e energjisë në mes Kosovës dhe Serbisë është emergjente të zgjidhet dhe nëse kjo nuk zgjidhet do të kalojmë në vakum te marrëveshjet e tjera”.

Ai falënderoi për ndihmën  Qeverinë e Gjermanisë, përmes procesit të Berlinit por edhe Sekretariatit për negocim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 “Ne e dimë dhe e ndjejmë obligimin dhe përgjegjësinë që kemi ndaj brezave që të orientohemi dhe të fokusohemi në energji të ripërtëritshme. Kosova është më se e vetëdijshme, se, nëse ka një popull, një vend dhe një ekonomi që e kupton rëndësinë e energjisë së ripërtëritshme, së pari vjen ai vend që është i bazuar në qymyr dhe ne e dimë dallimin”.

“Askush nuk është më në alarm se ne. I kemi dhënë përparësi energjisë alternative pra të ripërtëritshme. Jemi hapur si treg edhe për energjinë me erë, edhe për energjinë solare, kemi mirëpritur zhvillimet dhe propozimet e reja për mundësinë për investime në energji solare, në një kapacitet më të madh dhe mbesim të hapur për të gjitha idetë për energjinë e ripërtëritshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se askush nuk duhet të ketë dilemë nëse Kosova është e qëndrueshme ekonomikisht, duke përmendur avantazhet që ka si vend, popullsinë më të re, infrastrukturën rrugore pothuajse të përmbyllur, dhe në hapa shumë të avancuar edhe infrastrukturën hekurudhore, pastaj resurset e energjisë, minerale, industrinë ushqimore dhe pozicionin strategjik në ekonominë e Ballkanit.

Sipas tij, ndërtimi i termocentralit Kosova e Re është nismë e zhvillimit të energjisë.

“Mendoj se sot 3 muaj i kemi dhënë një vule zhvillimit të energjisë kur e kemi nënshkruar marrëveshjen për termocentralin Kosova e Re. Teknologjia e re mundëson edhe përmirësimin e ambientit”.

Në këtë forum janë prezantuar sfidat dhe mundësitë në funksion të zbatimit të Strategjisë së Energjisë  2017-2026.

Të ngjashme