Haradinaj: Taksa nuk është kundër komunitetit serb

Prishtinë | 01 Dhj 2018 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se taksa 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk është kundër asnjë komuniteti.

“I vetëdijshëm për fushatën kundër vendimit sovran të Kosovës për importin e mallrave nga Serbia dhe BeH dhe i vendosur në mbrojtje të te drejtave të qytetarëve pa dallim, dua të ritheksoj se tarifa prej 100% nuk është e drejtuar ndaj asnjë qytetari të vendit, ndaj asnjë komuniteti të caktuar e assesi ndaj mbijetesës së komunitetit serb”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka komentuar edhe sqarimin e Doganës së Kosovës për procedurat doganore në lidhje me rastet e donacioneve dhe mallrave e udhëtarëve.

“Mirënjohës Doganës së Kosovës për rikonfirmimin publik, se të gjitha donacionet me mallra që sillen në Kosovë sipas procedurave ligjore, si dhe të gjitha mallrat për personat fizik dhe udhëtarët sipas te drejtave ligjore nuk janë ndaluar nga Dogana dhe janë liruar nga tarifa konform procedurave të Kodit Doganor dhe ligjeve tjera ne fuqi. Për më tepër, hyrja e mallrave komerciale vazhdon normalisht, nepër të gjitha vendkalimet kufitare, sipas ligjeve dhe vendimeve në fuqi”, ka shkruar Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme