Hasani: Do të marrim edhe masa tjera mbrojtëse për prodhimet vendëse (Video)

Prishtinë | 01 Nën 2017 | 14:28 | Nga

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për prioritetet e tij në krye të kësaj ministrie.

Hasani në këtë intervistë për Telegrafin tha se do të merren masa mbrojtëse të tjera, sikur rasti i prodhuesve të miellit.

Ai raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, ku Kosova renditet e 40-ta, e ka quajtur lajm të mirë, derisa ka thënë se do të punojnë për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike të bizneseve, zbatim të kontratave dhe çështjet e tjera që Kosova është renditur keq në këtë raport.

Sipas tij, për të marrë masa mbrojtëse për prodhimet vendore sikur rasti me miellin MTI-ja, ka bazë ligjore. Hasani ka sqaruar se masat do të ndërmerren për produktet që vijnë nga importi dhe janë më të lira në treg sesa çmimet e produkteve vendore.

“Do të marrim masa për të gjitha çmimet që hynë nën koston e prodhimit vendor. Pas një hetimi të bërë, kam pasur rekomandime që të ndërmarrim masa, sepse nga 4 cent deri në 6 cent hynë çmimi i miellit në Kosovë, më i lirë nga vendet e tjera. Ne kemi marrë masa për çmimin minimal. Besoj se do ta ndihmoj këtë industri. Importi më i madh është nga Serbia dhe masat më të mëdha do të jenë ndaj Serbisë”, ka shtuar Hasani.

Ai ka treguar se kanë filluar hetimet ndaj disa kompanive për produkte të caktuara. “Produkti i prodhimit të këpucëve është nga Kina, po e prishë çmimin dhe për këtë ka ankesa të prodhuesve. Kemi filluar hetimet për këto produkt, por kemi këtu edhe produktin e ujit, ku ka konkurrencë nga shtetet tjera. Industrinë e drurit, mjaltës. Aty ku ka çmime ‘damping’ do të marrim masa konform ligjit, në mbrojtje të prodhimit vendor. Ne si qeveri kemi marrë vendim për heqjen e doganës dhe akcizës, që është pritur mirë nga prodhuesit, madje kemi marrë vendim për heqjen e akcizës në lëndë të parë”, ka thënë Hasani.

Ai ka folur edhe për raportin tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka thënë se e ka shfuqizuar vendimin për vezët, një vendim që sipas tij, është marrë më herët.

“Vendimi nuk duhet të jetë vetëm në letër, por t’i shohim edhe statistikat e importit, nëse ka ndonjë element për të marrë vendime në mbrojtjen e prodhimeve vendore. Ne kemi qenë korrekt me Shqipërinë vazhdimisht. Tash e kemi mbledhjen e dy Qeverive dhe ne si ministri po përgatitemi. Në të kaluarën janë nënshkruar disa marrëveshje mirëkuptimi, por nuk janë zbatuar në praktikë. Për shkak të importit, nuk do të bëjmë dallime se me kë dhe ndaj kujt do të marrim masa, por se barra kësaj radhe do t’i bie Serbisë, për shkak të importit më të lartë”, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme