Hasani: S’kemi inspektorë të mjaftueshëm, konsumatorët të na ndihmojnë në inspektim

Prishtinë | 15 Mar 2018 | 10:46 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka organizuar tryezën me temën “Të drejtat e konsumatorit në Kosovë” me qëllim të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit.

Ministri Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Bajram Hasani, tha se shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe të sigurisë së konsumatorëve.

Ai bëri me dije se qytetarët e Kosovës mund të lajmërojnë në linjat telefonike në çdo kohë ku mund të shkelen të drejtat të tyre.

Hasani kërkoi nga konsumatorët që të ndihmojnë ministrinë në inspektimin dhe në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Kjo për shkak se sipas tij, qytetarët janë vetë inspektorët, por edhe se numri i inspektorëve është shumë i vogël.

“Unë do ti lus deputetët që të kenë mirëkuptim që të kalon Ligji për konsumatorë. Vëmendje të veçantë kemi kushtuar vetëdijesimit sepse qytetarët duhet të kuptojnë të drejtën e tyre. Me të vërtetë numri është i vogël mirëpo shumë herë them se inspektorët më të mirë janë vetë konsumatorët”.

“Ne presim bashkëpunim të plotë me qytetarët që ti evitojmë këto probleme. Kemi kërkuar edhe nga pronarët e supermarketeve që të kenë kujdes. Qëllimi ynë nuk ka qenë me i vetëdijesuar supermarketet, por me i vetëdijesuar ata. Ftoj konsumatorëve që të japin informatën për shkak të numrit të vogël të inspektorëve. Kemi kërkuar edhe nga ministria  e financave për rritje të inspektoratit”.

Sherif Fejzullahu, këshilli për mbrojtjen e konsumatorit tha se edhe përkundër faktit që në Kosovë ka ligje të cilat e mbrojnë konsumatorin problemi qëndron tek moszbatimi i tyre.

“Aspekti ligjor është shumë i rëndësishëm që të jetë prezent. Shpesh herë në shoqëri thuhet se nuk ka ligj,jo ligj ka. Për fat të mirë shteti i Kosovës ka arritur shumë mirë që ti harmonizojë ato ligjet. Problemi që çalon në zbatimin e ligjeve dhe neve si këshill na mbetet që të vazhdojmë të insistojmë që ligjet të zbatohen”.

Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës jo qeveritare “Konsumatori”, tha se pozita e konsumatorëve pas luftës është më e mirë.

Kaçaniku tha se përkundër kësaj e drejta e konsumatorëve do të duhet të avancohet edhe më tej. Sipas tij, ky avancim duhet të behët me punë e me jo lavdërim.

“Pozita e konsumatorit është në rritje të vazhdueshëm viteve pas luftës. Por për të avancuar të drejtën e konsumatorëve mendoj se do të duhet më pak të vetëlavdërohemi”.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë është miratuar në qershorin e vitit 2004 në Kuvendin e Kosovës.

Më 15 mars 1962, presidenti amerikan John F. Keneddy miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”.

Ky ligj për konsumatorin përfshinte të drejtën e informimit, të drejtën e sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për t’u dëgjuar.

Që nga ajo kohë, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve.

Ndërsa në vitin 1985, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu universalitetin e të drejtave të konsumatorëve, kohë kur ajo miratoi direktivat për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe katër të drejta të tjera: të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.

Ndërkaq me Rezolutën me 9 prill 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit.

Të ngjashme