Haxhiu pyet Mujën: Sa milionë të Trustit i keni shpenzuar në letra me vlerë?

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kërkuar shpjegime nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, se sa milionë euro të Trustit të Kursimeve Pensionale janë shpenzuar në letra me vlerë të Qeverisë.

“Përse me para të Trustit me ble letra me vlerë të qeverisë? Trusti është i qytetarëve, jo i pushtetarëve”, ka thënë Bekim Haxhiu.

Deputeti i PDK-së më 9 mars e ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për Trustin, me të cilin kërkohet që t’iu lejohet qytetarëve edhe një tërheqje prej 20 për qind nga kursimet e tyre, për shkak të situatës së rëndë në të cilën ndodhen qytetarët pas pandemisë. Haxhiu po insiston se kjo çështje duhet të marrë drejtim sa më parë.

Kërkesa përkrahet nga shumica e deputetëve opozitarë, ndërsa kundër ka dalë partia më e madhe – Vetëvendosje. Duke e komentuar këtë kërkesë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka deklaruar së fundi se çdo ligj trajtohet sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës.

E Haxhiu ka kritikuar deputetin e LV-së, Armend Muja, dhe partisë së tij në pushtet, se nuk po brengosen për nevojat e qytetarëve.

“Qeveritarëve nuk po ju bëhet vonë për krizën ekonomike me të cilën po përballën qytetarët, nuk iu bëhet vonë për kërkesën e qytetarëve me i tërheq mjetet e tyre nga Trusti. Qeveria Kurti, 30 ditë e ka mbajtur Projektligjin për Trustin për me dhanë një ‘Jo’, ndërsa tani e dy javë Armend Muja është duke mos e trajtuar Projektligjin për Trustin në Komision Parlamentar për ta dërguar raportin me rekomandime për seancën e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu për Demokracia.com.

Haxhiu ka thënë se Qeveria Kurti dhe Armend Muja le të përgjigjen para qytetarëve sa milionë euro të Trustit të qytetarëve i kanë shpenzuar në letra me vlerë.

“Qeveria dhe Armend Muja të përgjigjen para qytetarëve, sa milionë euro para të Trustit të qytetarëve kanë blerë letra me vlerë të qeverisë? Përse me para të Trustit me ble letra me vlerë të qeverisë? Trusti është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Nga data 27.04.2022 kur projektligji iu është shpërndarë deputetëve dhe deri më sot, Armend Muja si kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere është duke e prolonguar trajtimin e Trustit në Komision dhe ta dërgojë raportin me rekomandime për seancën e Kuvendit”, ka thënë deputeti Haxhiu.

Ai ka shtuar se me grupin parlamentar të PDK-së e kanë proceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend dhe ndryshimi i tij e ka mbështetjen e plotë të PDK-së.

“Unë bashkë me deputetët e grupit parlamentar të PDK-së, me datë 09.03.2022 e kemi proceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend dhe ky projektligj e ka mbështetjen e plotë të PDK-së dhe të të gjitha partive opozitare, si dhe të disa deputetëve të mazhorancës. Duke e ditur këtë fakt, pushteti me sojin e Armend Mujës po përpiqen ta vonojnë procedimin e Projektligjit për Trustin në seancë të Kuvendit”, ka thënë ai.

Haxhiu ka thënë se përkundër papërgjegjësisë së pushtetit dhe manipulimeve të individëve të caktuar që nuk e kanë hallin e qytetarëve, Projektligjin për Trustin nuk mund ta prolongojnë më gjatë se deri më 25 maj.

“Unë dua të njoftoj të gjithë qytetarët se përkundër papërgjegjësisë se pushtetit dhe manipulimeve të individëve të caktuar që nuk e kanë hallin e qytetarëve, Projektligjin për Trustin nuk mund ta prolongojnë më gjatë se data 25.05.2022, sepse sipas rregullores një projektligj do të trajtohet në seancën e Kuvendit në lexim të parë jo më larg se 28 ditë nga dita kur iu është shpërndarë deputetëve”, ka thënë Haxhiu.

Në fund, deputeti i PDK-së ka shtuar se projektligji u është shpërndarë deputetëve më 27 prill 2022, prandaj dita e 28-të kur më së largu mund ta prolongojnë miratimin e Projektligjit për Trustin është data 25 maj 2022.

Të ngjashme