Hollaj e quan të patolerueshme lejen që ZRRE-ja i dhe KELKOS-it për hidrocentralet

Prishtinë | 12 Nën 2020 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Learta Hollaj, këshilltare u.d se presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila i ka dhënë leje Kompanisë KELKOS, për operim të dy hidrocentraleve në Bjeshkët e Deçanit.

Ajo ka thënë se një vendim i tillë është i patolerueshëm nga ZRRE-ja institucioni që para më pak se një muaji i pezulloi të gjitha lejet për hidrocentrale kësaj kompanie.

Reagimi i plotë i saj:

Është tërësisht e patolerueshme që ZRRE – institucioni që para më pak se një muaji i pezulloi të gjitha lejet për hidrocentrale të Kompanisë KELKOS në mungesë të lejës mjedisore, sot i jep po të njëjtës kompani leje për plot 40 vite për operim të dy hidrocentraleve në Bjeshkët e Deçanit, duke vulosur institucionalisht degradimin e plotë të një prej bukurive e pasurive më të çmueshme natyrore në vend.

• Është tërësisht e patolerueshme që disa minuta para mbajtjes së mbledhjes së ZRRE-së, Ministri në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit, institucionit përgjegjës për lëshimin e lejes mjedisore të nevojitur për përmbushjen e kritereve për licecsim nga ZRRE, deklaron si në vijim: “me sa di une, jo (nuk i janë dhënë lejet mjedisore KELKOS-it)…deri tash s’i kanë plotësuar ende (kushtet)”

• Është tërësisht e patolerueshme që Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit lëshon leje mjedisore kur kriteret për lëshimin e një leje të tillë janë të qarta dhe kompania KELKOS nuk e ka bërë rehabilitimin e duhur sipas kërkesave të ligjit për Leje Mjedisore dhe pamjet në terren e konfirmojnë këtë.

• Është tërësisht e patolerueshme që ZRRE vazhdon të operoj krye në vete, duke lëshuar leje të përkohshme mjedisore njëvjeçare në kundërshti të plotë me ligjin e duke krijuar parakushte si dhe duke ia trasuar rrugën si institucioneve e po ashtu edhe kompanive për të “përbmushur” kushtet për sigurimin e lejeve të përhershme.

• Është tërësisht e patolerushme që djë Kryeministri i vendit me krenari tregon për faktin që Kosova si pjesë e Samitit të Sofias ka nënshkruar deklaratën për Planin e Punës për Agjendën e Gjelbërt, gjersa mbase po të njëjtën ditë-dje, Ministria përgjegjëse në kuadër të kësaj qeverie, shtyn përpara projekte të cilat janë në kundërshti të plotë më objektivat e agjendës së gjelbërt evropiane e dëmtojnë në mënyrë të parikuperueshme mjedisin e dëmtojnë biodiverzitetin.

Përfundimisht, mbrojtja e mjedisit nuk është çështje e deklaratave dhe poenave politike – mbrojtja e mjedisit është mbrojtje e integritetit institucional, respektim i kushtetutes e ligjeve të vendit, respektim i të drejtave të njeriut, mbrojtje e shëndetit publik dhe konfirmim i aspirateve serioze për integrim në BE.

Veprimet e fundit të qeverisë së Kosovë dhe institucioneve përgjejgësë në këtë fushë janë dëshmi që ata nuk janë të gatshëm e as nuk kanë vullnet politik e moral për të respektuar asnjë nga këto parime e të drejta themelore

Të ngjashme