Hoti: Buxheti 2017 mundëson implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore

Prishtinë | 22 Dhj 2016 | 12:03 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ministri i Financave Avdullah Hoti sot në seancën e rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës prezantoi Projektbuxhetin e Republikës së Kosovës për 2017, i cili propozim-buxhet parasheh shpenzime prej 2 miliardë euro.

Me këtë rast Ministri Hoti theksoi se, Propozim-Buxheti për vitin 2017 reflekton përkushtimin tonë në adresimin e sfidave zhvillimore, si dhe zbatimin e reformave dhe projekteve specifike, bazuar në objektivat e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

Sipas Ministrit Hoti Buxheti për vitin 2017 gjithashtu është në linjë të plotë me Objektivat e Qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri fiskale.

“Ne kemi arritur që t’i adresojmë kërkesat më prioritare të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor, që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike. Mënyra si është konceptuar ky buxhet, e bënë atë buxhet zhvillimor dhe të qëndrueshëm”, shtoi Ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës për buxhetin e vitit 2017 i ka shtruar para vetes dy objektiva të mëdha. Së pari duke vazhduar me mbajtjen e shpenzimeve rrjedhëse nën kontroll. Shpenzimet rrjedhëse më 2017 si përqindje e Bruto Produktit Vendor bien nga 20.3% në 19.8%, me gjithë rritjen nominale të këtyre shpenzimeve. Si dhe e dyta, krijimi i hapësirës më të madhe për shpenzime kapitale, që janë të targetuara mirë lidhur me efektet e tyre në ekonomi, punësim, ambientin për biznes dhe potencialin zhvillimor afatgjatë për gjeneratat e ardhshme.

Sipas ministrit Avdullah Hoti “Buxheti për vitin 2017 bënë të mundur implementimin e Sigurimit Shëndetësor, ku për vitin e ardhshëm kemi ndarë 17 mil. euro, implementimin e plotë të ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, implementimin e plotë të kompensimit për përvojën e punës për punonjësit publik, mbarëvajtjen e nivelit të subvencioneve në bujqësi dhe rritjen e investimeve kapitale në bujqësi përmes buxhetit të rregullt dhe huave ndërkombëtare, ofrimin e pensioneve për veteranët dhe kategoritë tjera të luftës, në vlerë prej 38, respektivisht 50 milionë euro, akomodimin e shpenzimeve që dalin nga agjenda euro-integruese e Kosovës, si dhe rritjen e mbështetjes financiare për sektorët e rendit dhe ligjit.

Ai gjithashtu theksoi se “procesi i përgatitjes së Buxhetit për vitin 2017 ka filluar me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, e cila është aprovuar në muajin Prill të këtij viti dhe duke u bazuar në këtë Kornizë, kemi përgatitur edhe Instruksionet Buxhetore që i kanë udhëzuar organizatat buxhetore për përgatitjen e buxheteve të tyre. Të gjitha organizatat buxhetore i kanë dorëzuar kërkesat e tyre për financim ku Ministria e Financave ka organizuar dëgjimet buxhetore me përfaqësuesit e këtyre institucioneve”.

Ministri Hoti gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave për herë të parë këtë vit, ka organizuar dëgjime buxhetore edhe me shoqërinë civile.

“Si rezultat i këtij procesi, Buxheti për vitin 2017 adreson prioritetet zhvillimore të deklaruara përmes dokumenteve strategjike, siç janë: Programi i Qeverisë, Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi për Reforma Ekonomike, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, si dhe Strategjitë sektoriale”, shtoi Ministri Hoti .

Ai bëri të ditur se “duke pasur parasysh ecuritë pozitive në vitet e fundit, kemi sfida të shumta për t’i adresuar. Prandaj, në këtë kontekst, është e natyrshme që kërkesat për financim të jenë më të larta se mundësitë për financim.

“Përmes këtij Propozim-Buxheti, ne kemi bërë më të mirën për të balancuar këto kërkesa me mundësitë buxhetore. Ndërsa, parimet mbi të cilat është bazuar ky buxhet përfshijnë: Ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, Sigurimin e financimit të projekteve në vijim, Ruajtjen e rezervës fiskale në nivel të mjaftueshëm, Rritjen e shpenzimeve kapitale, si zëri më produktiv buxhetor si dhe Eliminimi i barrierave dhe ofrimin e insentivave fiskale që avancojnë konkurrueshmërinë e sektorit privat”, shtoi Ministri Hoti.

Gjatë prezantimit të Buxhetit ministri Avdullah Hoti gjithashtu theksoi se ky Projektbuxhet ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe kjo është e rëndësishme si për Qeverinë ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës, duke qenë se jemi në program me këtë Institucion, dhe rrjedhimisht, përgatitja dhe aprovimi i Buxhetit duhet të dakordohet paraprakisht.

Buxheti është ngushtë i lidhur me ecuritë makro-ekonomike në vend, rajon dhe më gjerë. Mbi këto ecuri, Ministria e Financave ka përgatitur projeksionet makro-ekonomike dhe fiskale për vitin 2017 dhe vitet në vijim. Ndërsa, rritja ekonomike në vend është bazuar në vlerësimet e Ministrisë së Financave, dhe ne presim që në vitin 2016 ekonomia të ketë rritje reale rreth 4% (3.8%). Kjo pritje është e konfirmuar edhe nga projeksionet e institucioneve të jashtme kredibile, siç është FMN-ja. Po ashtu ky trend pritet të vazhdojë edhe në vitin 2017, me normë akoma më të lartë të rritjes ekonomike, prej 4.4%. Kjo normë do të jetë më e larta në rajon, është rezultat i zbatimit me sukses të reformave ekonomike dhe fiskale, që kanë ofruar insentiva fiskale për sektorin privat dhe reformave të tjera strukturore të mbështetura nga Programi me FMN-në.

Sipas Ministrit Hoti të hyrat e rregullta buxhetore janë planifikuar të jenë 1 miliard e 725 milionë Euro. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 6% në raport me vitin 2016 dhe 17% në raport me vitin 2015. Ndërkaq krahasuar me vitin 2014, ka një rritje prej 28% ku pothuajse e gjithë kjo rritje është rezultat i rritjes të të hyrave të rregullta buxhetore nga ATK dhe Dogana, në shumë prej rreth 380 mil euro më shumë.

“Të hyrat nga ATK-ja pritet të rriten me mbi 9% në krahasim me vitin 2016 dhe 23% në raport me vitin 2015. Krahasuar me vitin 2014, rritja është për 40% më shumë apo 117 mil. euro më shumë.
Ndërsa, të hyrat e mbledhura nga Dogana janë projektuar të rriten me 6.5% në krahasim me 2016 dhe 16.4% në raport me vitin 2015. Edhe në rastin e Doganës, nëse krahasohet me vitin 2014 rritja është 27% apo 239 mil. euro më shumë.” shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve buxhetore për vitin 2017, ministri Avdullah Hoti theksoi se në këtë propozim-buxhet parashihen shpenzime prej 2 miliardë euro. Dhe duke krahasuar me vitin 2016, shpenzimet rriten me mbi 15%, ndërkaq krahasuar me 2015 rriten me 28% dhe me 2014 për 38%.

Të ngjashme