Hoti: Mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike të Qeverisë së re

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë Kurti, tash i nominuar për kryeministër të Qeverisë së mundshme në krye me LDK-në, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Ai ka thënë se kjo pako është pjesë e Qeverisë së re dhe është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:                               

Mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.
Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar.

Në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës. Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re.

Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës.

Të ngjashme