Hoti prezanton masat e pakos së rimëkëmbjes para bizneseve dhe komunave

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 16:13 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Asociacioneve të Bizneseve, përfaqësuesit e BQK-së dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me të cilët ka diskutuar rreth Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike si dhe për masat e rimëkëmbjes ekomomike, të cilat janë miratuar në qeveri si pjesë të programit qeverisës.

“Ju garantoj se do të punojmë bashkë për përgatitjen e planit detaj për zbatimin e këtyre masave dhe pasurimin e këtyre masave për t’u realizuar në praktikë. Ne i kemi bërë disa analiza paraprake, dhe është një vlerësim i përgjithshëm se ekonomia e Kosovës ka pësuar rreth 5 për qind të bruto produktit të brendshëm si rezultat i pandemisë. Masat që i kemi paraparë në periudhën afatshkurtër do të koncentrohen që ne sa më parë që është e mundur të kompensojmë këtë rënie ekonomike dhe ta kthejmë ekonominë aty ku ka qenë para pandemisë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se këto masa krijojnë mundësi për ta vendosur ekonominë e Kosovës në një trajektore krejt tjetër të zhvillimit ekonomik afatgjatë. Duke theksuar se e gjithë kjo mund të arrihet nëse i bëjmë bashkë forcat dhe përpjekjet tona, kryeministri Hoti ka garantuar se si qeveri do ta kenë mbështetjen dhe bashkëpunimin e nevojshëm për t’i dizajnuar më në detaje këto masa.

“Gjatë fazës së implementimit do të punojmë bashkë për t’u siguruar se këto fonde do të shkojnë në vendin e duhur, atje ku japin efektin maksimal. Mbi të gjitha këto masa nuk interferojnë shumë në parimet bazike të konkurrencës, gjithmonë duke i respektuar udhëzimet e Komisionit Evropian dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare sa i përket ndërhyrjeve në ekonomi që po i bëjnë qeveritë e ndryshme”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri Hoti tha se do shihet mundësia e funksionalizimit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku do të jenë të përfshira të gjitha palët me interes dhe shtoi se orientimi i qeverisë është krijimi i bazës ligjore përmes Ligjit të Buxhetit, për krijimin e një fondi në të cilën bëhen bashkë një pjesë e konsiderueshme e mjeteve nga Buxheti i Kosovës përmes identifikimit të kursimeve të ndryshme ose nga projekte që nuk kanë pasur mundësi të zbatohen për shkak të pandemisë dhe mjete të tjera për të cilat është dhënë zotimi nga partnerët zhvillimor, duke filluar nga Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe partnerë të tjerë zhvillimor që do të kontribuojnë në fondin për rimëkëmbjen ekonomike.

“Orientimet tona janë që deri në vjeshtë të këtij viti ne të kompensojmë bizneset dhe familjet së paku për pjesën që kanë pësuar si rezultat i pandemisë dhe pastaj t’i vëmë në praktikë masat që na mundësojnë që në pjesën e mbetur të këtij viti dhe në veçanti gjatë vitit 2021 të hyjmë në projekte zhvillimore të natyrës më afatgjate”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti më këtë rast ka prezantuar 9 masat që janë paraparë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike:

  1. Lehtësimi i qasjes në financim;
  2. Zvogëlimi i barrës tatimore;
  3. Masat për mbështetje të punësimit;
  4. Bujqësia;
  5. Masat për stimulim të kërkesës agregate;
  6. Mbështetje për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike;
  7. Rishikimi i Buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik;
  8. Masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar;
  9. Mobilizimi për financimin e masave.

Të ngjashme