Hoti: Turizmi i zhytur në humbje, duhet plan konkret për rimëkëmbje

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Turizmi i vendit është ndër sektorët më të goditur nga pandemia Covid-19 dhe nëse shteti nuk ndërmerr ndonjë plan konkret për rimëkëmbjen e tij, shumë biznese do të falimentojnë dhe punëtorët do të mbesin pa punë. Kështu thotë Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, organizatë që është themeluar nga subjekte turistike, me qëllim të zhvillimit të turizmit. Në një intervistë për KOHËN, Hoti ka thënë se 99 për qind e të huajve që kanë paraparë ta vizitojnë Kosovën i kanë anuluar vizitat pas shfaqjes së Covid-19.

Mungesa e turistëve, sipas tij, ka pasur ndikim zinxhiror si tek akomodimi, guidat turistike, operatorët turistikë e agjencitë e udhëtimeve.

Megjithatë, shteti deri më tani, sipas tij, nuk ka bërë asgjë për turizmin dhe se këtë e dëshmon edhe fakti që Kosova nuk ka ministri të turizmit dhe se i gjithë turizmi është lënë në dorë të një divizioni që ka të punësuar vetëm 3 persona.

Ai ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon që bizneset turistike kanë TVSH-në 18 për qind. Ka thënë se Qeveria në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, që është në procedurë në Kuvend, ka paraparë që të ulë TVSH-në për 8 për qind. Por, kjo ulje parashihet vetëm për kohën sa zgjat pandemia. E kjo, sipas Hotit, nuk do të ishte e mjaftueshme, pasi që rimëkëmbja nuk mund të bëhet për një kohë të shkurtër.

Në mungesë të turistëve nga jashtë ka thënë se po mundohen të krijojnë oferta për tërheqjen e turistëve vendorë, duke bërë zbritje të çmimeve në mënyrë që ta mbajnë gjallë turizmin.

KD: Si ka ndikuar pandemia në turizmin e Kosovës?

Hoti: Pandemia në sektorin e turizmit ka ndikuar tepër negativisht dhe ka shkaktuar dëme jashtëzakonisht shumë të mëdha, të cilat kanë reflektuar komplet te sektori i turizmit dhe jo vetëm. Është prekur edhe zinxhiri që lidhet me turizmin, siç janë gastronomia, agjencitë turistike, agjencitë transportuese, guidat turistike, restorantet dhe ato që lidhen me furnizime me pije dhe të gjitha. Sa i përket pjesës së turizmit, dëmi është shumë i madh. Në pikun e sezonit turistik, turizmi ka qenë një ndër sektorët më të mëdhenj që ka punësuar njerëz, dhe po e shohim që numri i të punësuarve është shumë më i vogël. Nuk kemi statistika të sakta, por të gjitha bizneset kanë deklaruar se janë detyruar që të largojnë një pjesë të punëtorëve nga puna, sidomos një pjesë që mezi po mbijetojnë. Janë të detyruar që t’i largojnë dhe numri i të punësuarve vetëm është në rënie e sipër.

Të ngjashme