Biznesmeni kërkon nga qeveria lehtësira: Bizneset të lirohen nga tatimet dhe të krijohet Fond garantues

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Biznesmeni Samir Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria që bizneseve tu krijohen edhe më shumë lehtësira për tu përballur me dëmet që u shkaktohen nga situata e krijuar nga Coronavirusi.

Krasniqi ka përshëndetur masat e ndërmarra deri tash, por ka thënë se bizneset duhet të lirohen përkohësisht nga taksat, të bëhen paketa për punëmarrësit dhe krijimin e një Fondi garantues.

Sipas Krasniqit, bizneset pa përjashtim mund të ndihmohen duke liruar përkatësisht pezulluar për një kohë nga taksat e ndryshme që për momentin janë ngarkesë financiare.

Krasniqi ka thënë se bizneset kanë zvogëluar orarin e punës së punonjësve deri te ndërprerja totale e punës.

“Në këtë rast Shteti duhet të kompensoj pagesat për punëmarrësit në një masë 50% nga paga neto dhe jo më pak se paga minimale. Për shembull një punonjës merr pagë 600 € neto. Nëse ai do të ndalonte së punuari, ai do të merrte rreth 300 euro neto nga shteti. Nëse ai punon gjysmën e kohës, punëdhënësi i paguan atij gjysmën e pagës së tij normale. Përcaktimi i pagës është lehtë i evidentueshëm nga të dhënat e pagave të fundit që raportohen në ATK përkatësisht në fondin pensional. Kjo të vazhdohet deri në kthimin e normalitetit.”. ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kurse, sa i përket Fondit garantues ai ka thënë se kjo do të ishte kredi mbijetese.

“ Bizneset private varësisht nga numri i të punësuarve dhe qarkullimit vjetor të mund të marrin kredi nga 5000 euro deri në 150000 euro. Kolaterali bankar të mbulohet nga shteti. Të thjeshtësohen procedurat. Të kontrollohet rreptësisht shfrytëzimi i kredisë nga banka përkatëse. Kthimi i kredive të jetë afatgjatë. Përcaktimi i afatit të bëhet individualisht pas tejkalimit të situatës.”, ka thënë ai.

Të ngjashme